
BBC: Shtatë pikat e marrëveshjes SHBA-Ukrainë për mineralet!
Një marrëveshje e re midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës, i hap rrugën Uashingtonit për të pasur akses në burimet natyrore të Ukrainës, ndërsa krijon një mekanizëm të ri investimesh që synon të ofrojë mbështetje afatgjatë për Kievin.
Sipas BBC, edhe pse presidenti Donald Trump ka ushtruar presion herë-herë të ashpër ndaj Kievit, në fund ka arritur të marrë atë që dëshironte, por jo me kushtet që kishte propozuar.
Nga ana tjetër, Ukraina i ka dhënë SHBA-së qasje në rezervat e saj të çmuara natyrore, pa marrë garancitë e sigurisë që kërkonte Presidenti Volodymyr Zelensky.
BBC ka analizuar draftin e marrëveshjes dhe ka nxjerrë 7 pikat më të rëndësishme:
1. Asnjë detyrim për kthimin e parave ndaj SHBA-së
Donald Trump më parë kishte kërkuar që Ukraina të kthejë 350 miliardë dollarë, që sipas tij, janë dhënë nga SHBA gjatë luftës. Presidenti Zelensky e kishte refuzuar prerazi këtë kërkesë.
Marrëveshja e re nuk përmban asnjë klauzolë për kthimin e këtyre fondeve.
Trump e ka prezantuar këtë si një fitore, duke thënë se SHBA do të përfitojë më shumë në terma afatgjatë nga kjo marrëveshje, sesa nga miliardat e harxhuara gjatë administratës Biden.
2. Retorikë më e ashpër e SHBA ndaj Rusisë
Marrëveshja u shoqërua me një ton të paprecedentë të ashpër ndaj Moskës nga administrata Trump.
Departamenti Amerikan i Thesarit e quajti “një pushtim të plotë” nga ana e Rusisë dhe theksoi se asnjë shtet apo subjekt që mbështet financiarisht makinerinë e luftës së Kremlinit nuk do të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës. 3. Në lojë edhe nafta dhe gazi, jo vetëm mineralet
Edhe pse fokusi kryesor është te burimet minerale të Ukrainës, marrëveshja përfshin edhe projekte për naftë, gaz dhe infrastrukturë përkatëse.
Të gjitha burimet natyrore mbeten në pronësi të Ukrainës, por SHBA merr akses të përbashkët, një kompromis domethënës nga ana e Kievit, krahasuar me planet fillestare.
4. Marrëveshja nuk bie ndesh me aspiratat për BE
Ukraina ka pasur shqetësime se marrëveshja me SHBA-në mund të rrezikojë përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Por versioni final i dokumentit e sqaron se nuk ka asnjë konflikt mes tyre.
Përkundrazi, theksohet se SHBA do të jetë e gatshme të rinegociojë në rast të detyrimeve të reja që i vijnë Ukrainës nga BE-ja, ndërkohë që inkurajohen investimet dhe transferimi i teknologjisë edhe nga vetë Evropa.
5. Fitimet do të riinvestohen në Ukrainë për një dekadë
Për dhjetë vitet e para të funksionimit të fondit investues, të gjitha fitimet do të riinvestohen në ekonominë ukrainase. Vetëm pas kësaj periudhe, parashikohet ndarja e përfitimeve mes palëve.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Besent, tha se “kjo është një mundësi që SHBA të marrë pjesë në rindërtim dhe të shpërblehet për mbështetjen ndaj Ukrainës.”
6. Ndihma ushtarake me kushte të reja
Vijueshmëria e ndihmës ushtarake amerikane ndaj Ukrainës u kushtëzua me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
Zëvendëskryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, tha se pakti parashikon ndihmë të re ushtarake, përfshirë sisteme mbrojtjeje.
Ky është një ndryshim i madh nga pozicioni fillestar i Trump, i cili kishte sinjalizuar synimin për të ulur ndihmën ushtarake.
7. Mungesë garancish të detyrueshme, SHBA mund të tërhiqet
Edhe pse marrëveshja përfshin projekte të mëdha ekonomike, ajo nuk ofron garanci të qarta sigurie për Ukrainën.
Hezitimi i Trump për të dhënë angazhime ushtarake të krahasueshme me ato të Biden vazhdon.
Mbështetja e SHBA mbetet ende e varur nga vullneti i Shtëpisë së Bardhë, duke lënë një dozë të konsiderueshme pasigurie për aleatin më të rëndësishëm të Ukrainës.