BDI-ja: ‘Bota Serbe’ me ndihmën e strukturave qeveritare po kap sektorin bankar në Maqedoni

11 gusht 2025 | 12:18

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësim të thellë për përshpejtimin e penetrimit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut, që pas telekomit serb është duke hyrë fuqishëm edhe në sektorin bankar përmes “Alta Bank”. Ky nuk është një investim i zakonshëm financiar, por një operacion i strukturuar politik dhe ekonomik i Beogradit për të siguruar kontroll strategjik mbi institucionet kyçe të vendit, me përfshirje aktive të partnerëve qeveritarë, përfshirë VLEN-in.

Ky subjekt politik, duke cituar burime nga Banka Popullore, ka bërë me dije se drejtimin e “Alta Bank” në Maqedoni pritet ta marrë ish-anëtarja e Kryesisë së VMRO-DPMNE-së dhe ish-zëvendësguvernatorja Maja Kadievska Vojnoviq, bashkëpunëtore e ngushtë e kryeministrit në fushën e ekonomisë. Emërimi i saj vjen si rezultat i lobimit personal të Mickoskit tek Aleksandër Vuçiq, duke e lidhur drejtpërdrejt bankën me strukturat politike të Serbisë.

BDI-ja ka njoftuar se sipas burimeve të brendshme, një nga arsyet e emërimit të Trajko Slavevskit si guvernator ka qenë premtimi i tij se do të eliminojë çdo pengesë për hyrjen e “Alta Bank” në tregun vendor, pavarësisht paralajmërimeve të profesionistëve të Bankës Popullore për rreziqet që kjo sjell për reputacionin financiar të vendit në sytë e autoriteteve evropiane.

“Kjo ndërhyrje është pjesë e së njëjtës strategji që BDI-ja e ka denoncuar më herët: prioritetizimi i lidhjeve me Beogradin dhe boshtin lindor, vizitat e figurave me qëndrime proruse, si Millorad Dodik, promovimi i Korridorit 10 në vend të Korridorit 8, përfshirja e figurave fetare serbe në aktivitete shtetërore dhe donacionet me prejardhje serbe në vend. Tani, me kapjen e sektorit bankar, “Bota Serbe” do të ketë mundësinë të financojë bizneset e afërta me qeveritarët, duke i futur ata në skema edhe më të mëdha korruptive dhe duke i bërë të varur nga interesat e Beogradit”, është thënë në reagimin e BDI-së, e cila drejtohet nga Ali Ahmeti.

Kjo parti ka vlerësuar se institucionet që duhet të mbronin sigurinë kombëtare po heshtin ose janë bërë pjesë e këtij procesi. “Agjencia e Inteligjencës dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, që duhet të alarmonin për rreziqet, janë shndërruar në struktura inerte ose të kontrolluara politikisht. Presidentja dhe kabineti i saj, në vend që të mbrojnë interesin shtetëror, po minimizojnë ose shpërndajnë lajme të rreme për të maskuar natyrën e vërtetë të këtij operacioni”, është thënë në këtë reagim.

BDI-ja ka riafirmuar se Maqedonia e Veriut nuk mund të lejojë që sektorët strategjikë të vendit të bëhen pronë e “Botës Serbe” dhe interesave të saj destabilizuese. “Integriteti ynë financiar dhe orientimi euroatlantik janë të panegociueshëm. Heshtja ndaj kësaj agjende është bashkëfajësi, dhe qytetarët do të mbajnë përgjegjës ata që po e shesin të ardhmen e vendit për interesa të ngushta politike e financiare”, është thënë në reagimin e BDI-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkëndija e Tetovës mbrëmë ka mbërritur në Azerbajxhan, ku e…