BE-ja dënon sulmin e Kurteshit ndaj gazetarëve
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur keqardhje, për siç ka thënë, sulmin dhe gjuhen e përdorur nga anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi drejtuar mediave.
Në një postim në “X” ka bërë thirrje që praktikat e tilla të ndalen.
“Liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike – BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e saj”, është thënë në reagim.
Anëtari i LV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ka fajësuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe disa media duke i quajtur “aleancë të grupeve kriminale”. Derisa i ka përmendur disa media në Kosovë, Kurteshi i ka quajtur edhe “vrasës me pagesë”.
Reagimi i Kurteshit erdhi disa ditë pas sjelljes së tij në KQZ ndaj gazetarëve që ishin të pranishëm duke u kërkuar disa herë me tone të larta që të largoheshin në këndin e mediave.
“Një qenie a grup qeniesh që shpif e gënjen hapur, që lutjen e qartë e të zëshme në gjuhën shqipe, për ndalimin e mësymjes fizike të të ashtuquajturve gazetarë, kamerambajtës në hapësirën e caktuar për mbledhje të KQZ-së, ose është idiot në kuptimin e plotë të fjalës, ose-ose, mendje e çakorduar kriminale prej vrasësi me pagesë, kur e quan ‘cenim fizik të gazetarëve’ dhe ‘pengim fizik të gazetarëve’, dhe si sjellje ‘recidivist në sulmet ndaj gazetarëve’. Pikërisht ky reagim, dëshmon pa dyshim për veprime të motivuara e të dirigjuara të ‘gazetarë/eve’ e ‘kameramanëve’ të shashtrisur prej kërcënimeve, shantazheve, yshtjeve, keqtrajtimeve nga bosat dhe bosat e bosave të tyre, që janë dëshmuar si vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut”, ka shkruar Kurteshi të mërkurën në “Facebook”.
Ndaj gjuhës së Kurteshit ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve. Sekretari i përgjithshëm i saj, Ricardo Gutierrez, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë që të marrë masa. Gutierrez i ka kërkuar Albin Kurtit që ta ndalojë një gjuhë të tillë nga partia e tij, teksa ka theksuar se është përgjegjësi e tij “t’i japë fund praktikave të tilla mafioze”.



