
BE-ja dhe Meksika, të ashpra ndaj tarifave të reja të Trumpit
Bashkimi Evropian (BE) dhe Meksika kanë shprehur zhgënjim ndaj kërcënimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për të vendosur tarifa prej 30% mbi importet e tyre nga 1 gushti.
Meksika kritikoi atë që e quajti “marrëveshje e padrejtë” e Trumpit dhe këmbënguli se sovraniteti i saj ishte i panegociueshëm, ndërsa shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, kërcënoi të ndërmarrë “kundërmasa proporcionale” nëse është e nevojshme.
Të dy thanë se donin të vazhdonin negociatat me SHBA-në.
Bëhet e ditur se Trump ka paralajmëruar se do të vendosë taksa edhe më të larta mbi importet nëse ndonjëri prej partnerëve tregtarë të SHBA-së vendos të hakmerret.
Këtë javë, republikani njoftoi gjithashtu tarifa të reja për mallrat nga Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili nga muaji i ardhshëm, shkruan BBC.
Në letrën e dërguar të premten presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Trump shkroi: “Kemi pasur vite që diskutojmë marrëdhëniet tona tregtare me Bashkimin Evropian dhe kemi arritur në përfundimin se duhet të largohemi nga këto deficite tregtare afatgjata të mëdha dhe të vazhdueshme, të shkaktuara nga politikat tuaja tarifore dhe jo-tarifore dhe barrierat tregtare”.
“Marrëdhënia jonë, për fat të keq, ka qenë larg të qenit reciproke”, shtohej në letër.
Në letrat e tij drejtuar BE-së dhe Meksikës, Trump paralajmëroi se nëse ndonjë partner tregtar do të hakmerrej me detyrime importi kundër SHBA-së, ai do të kundërpërgjigjej duke rritur tarifat me një përqindje të ngjashme mbi 30%.
Ndryshe, BE-ja ka qenë një objektiv i shpeshtë i kritikave të Trumpit.
Më 2 prill, ai propozoi një tarifë prej 20% për mallrat nga blloku, si dhe dhjetëra partnerë të tjerë tregtarë.
Më pas ai kërcënoi të rriste taksat e importit të BE-së në 50%, ndërsa bisedimet tregtare ngecën.
Uashingtoni dhe Brukseli shpresonin të arrinin një marrëveshje para afatit të 9 korrikut, por nuk ka pasur njoftime për progresin.