BE-ja, e gatshme të organizojë takim ekspertësh për draft-statutin e Asociacionit

09 qershor 2023 | 15:28

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, me të përfunduar vizitat në Kosovë dhe Serbi, e ka informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për rezultatet.

Më pas Borrell ka nisur t’i informojë vendet anëtare të BE-së për hapat e radhës që duhet të ndërmerren. Kështu i ka thënë “Radios Evropa e Lirë”, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Stano i është përgjigjur pyetjes rreth një drafti me propozimin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë që e ka dërguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai ka thënë se “secili kontribut konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të së cilit është duke u diskutuar edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, është i mirëseardhur”.

“Përfaqësuesi i lartë është në kontakt të vazhdueshëm, me liderët në rajon dhe me shtetet anëtare të BE-së. Siç kemi thënë disa herë në të kaluarën, diskutimet dhe draftimi i statutit të Asociacionit/Bashkësisë mund të zhvillohet vetëm në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i BE-së ka konfirmuar se plani ishte që më 5 dhe 6 qershor të zhvillohej sesioni i parë i draftimit të Asociacionit në nivel të ekspertëve dhe të dyja palëve u ishin dërguar që më parë ftesat. Por, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së, Lajçak është deshur të shkojë në Kosovë dhe në Serbi dhe ky takim nuk është zhvilluar.

“I dërguari i posaçëm i BE-së është i gatshëm të organizojë takimin e draftimit shumë shpejt dhe është në kontakt me të dyja palët”, ka thënë Stano.

Ndërkohë, nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë informuar për vizitën që Mirosllav Lajçak dhe kolegu i tij amerikan, Gabriel Escobar, kanë pasur gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd. Detyra e tyre ishte të përçojnë kërkesat për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

Sipas këtyre burimeve, nga ana e Qeverisë së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të bisedohet për masat drejt shtensionimit të situatës, por siç është thënë, kryeministri Albin Kurti ka hezituar të pranojë kërkesën për heqjen e menjëhershme të policisë speciale nga objektet komunale.

Po ashtu, sipas të njëjtave burime, “pala kosovare nuk i ka refuzuar kërkesat, por përshtypja është se nuk po nxiton”.

Nga ana tjetër, sipas raportimit te shtetet anëtare të BE-së nga ana e një pjesëtari të ekipit të Mirosllav Lajçakut, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka shprehur gatishmërinë për t’i bindur serbët lokalë në veri të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, por nën disa kushte të caktuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cenimi i raportit të Kosovës me ShBA-në dhe diskutimi që…