BE-ja gjobit platformën X me 120 milionë euro

09 dhjetor 2025 | 07:51

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, e quajti “një gjobë të keqe” sanksionin e vendosur ndaj kompanisë së mediave sociale X, në pronësi të Elon Musk, nga rregullatorët e teknologjisë së Bashkimit Evropian, duke thënë se nuk kuptonte se si mund të justifikohej një vendim i tillë.

Platforma X u gjobit me 120 milionë euro  javën e kaluar për shkelje të rregullave të përmbajtjes online.

“Evropa po shkon në disa drejtime të këqija,” u tha Trump gazetarëve gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se priste të merrte një raport të plotë mbi këtë gjobë më vonë gjatë ditës.

“Nuk e kuptoj se si mund ta bëjnë këtë,” tha presidenti amerikan, duke theksuar se Musk nuk e kishte kontaktuar për të kërkuar ndihmë. “Evropa duhet të jetë shumë e kujdesshme,” shtoi ai.

Sipas ‘Reuters’, javën e kaluar, Musk e kundërshtoi publikisht ndëshkimin në platformën e tij, duke komentuar “Gabim” nën njoftimin e Komisionit Evropian për gjobën dhe duke ripostuar mesazhe kritike ndaj vendimit.

“Liria e fjalës është themeli i demokracisë. E vetmja mënyrë për të ditur për çfarë po voton”, shkroi Musk.

Zyrtarë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe kreun e FCC-së Brendan Carr, e denoncuan vendimin, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj kompanive amerikane.

Shefja e teknologjisë së BE-së, Henna Virkkunen, mbrojti masën duke e cilësuar “proporcionale”, ndërsa Komisioni Evropian theksoi se legjislacioni nuk synon asnjë kombësi specifike, por mbron “standarde digjitale dhe demokratike”.

Në të njëjtën kohë, TikTok, i akuzuar në maj për probleme të ngjashme me depozitën e reklamave, shmangu një gjobë duke premtuar përmirësime dhe kërkoi që rregullat të zbatohen njësoj për të gjitha platformat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina po përgatitet t’i paraqesë Shtëpisë së Bardhë një plan…