BE-ja përballet me sfida në hartimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, së fundmi ka lënë të kuptohet se Bashkimi Evropian po punon për një tjetër pako sanksionesh ndaj Rusisë, më pak se një muaj pasi ra dakord për një grup të ri masash që synojnë të godasin Kremlinin për pushtimin e plotë të fqinjit të saj.
Pyetja e parë është se sa shpejt mund të dalë një propozim i ri. Diplomatët e BE-së, me të cilët Radio Evropa e Lirë foli nën kushtin e anonimitetit, thonë se dyshojnë se masa të reja do të paraqiten para Krishtlindjeve.
Brukseli ka dy prioritete më të mëdha për momentin: sigurimin e fondeve për Ukrainën për dy vitet e ardhshme (me një të ashtuquajtur hua reparacionesh ende si opsion të preferuar) dhe garantimin që të gjitha sanksionet aktuale të BE-së ndaj Moskës të rinovohen.
Të dyja çështjet duhet të zgjidhen më së voni në janar. E dyta kërkon unanimitet, ndërsa e para kërkon mbështetje të gjerë politike.
Zyrtarët e BE-së, me fjalë të tjera, hezitojnë të shtojnë edhe një detyrë tjetër që kërkon konsensus, dhe kanë lënë të kuptohet se një pako e re sanksionesh mund të vijë fillimisht rreth përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2026.
Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar vendet anëtare të BE-së të hartojnë listat e tyre të dëshirave. Një dokument diskutimi i parë nga Radio Evropa e Lirë dhe hartuar nga trioja baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – si edhe Gjermania, Polonia dhe Suedia, e bën të qartë se objektivi i radhës duhet të jetë kufizimi i importeve të BE-së të mallrave ruse.
Duke vënë në dukje se blloku importoi mallra nga Rusia me vlerë prej 35 miliardë eurosh vitin e kaluar, gjashtë vendet argumentojnë se ende ka hapësirë të konsiderueshme që BE-ja të zvogëlojë varësinë e saj nga Moska.
Pjesa më e madhe e këtyre importeve janë energjia – si gazi dhe nafta – si edhe produkte të ndryshme bujqësore. Brukseli ishte zotuar më herët këtë vit të heqë gradualisht importet e energjisë dhe bujqësisë nga Rusia deri në vitin 2027.
Çeliku dhe fosfatet ruse
Vendet evropiane tani në thelb kanë syte drejt artikullit tjetër më të importuar nga Rusia: çelikut.
Deri më tani këtë vit, BE-ja ka importuar çelik rus në vlerë prej 1.3 miliardë eurosh, ose 8 për qind të totalit të importeve të saj nga vendi. Shumica e këtyre produkteve të çelikut janë të ashtuquajturat “slabs” të çelikut – lëndë bazë që përpunohet për t’u kthyer në produkte më të sofistikuara çeliku.
Ndërsa Brukseli vendosi ndalime importi për disa produkte çeliku rus që në vitin 2022, importet e slabs të çelikut kanë një përjashtim deri në tetor 2028. Ky përjashtim mund të hiqet.
Një objektiv tjetër potencial janë të ashtuquajturat kimikate inorganike nga Rusia, të cilat përbëjnë 3 për qind të importeve totale të BE-së nga Rusia. Këto përfshijnë amoniakun e anhidruar dhe fosfatet e kalciumit, të cilat mund të përdoren si në bujqësi, ashtu edhe në industrinë e plastikës dhe farmaceutikës.
Dokumenti i diskutimit vëren se Shtetet e Bashkuara aktualisht janë si importuesi më i madh ashtu edhe eksportuesi më i madh i këtyre produkteve, dhe sanksionet potenciale nuk do të ndërprisnin furnizimet evropiane.
Plehrat e kaliumit paraqesin një situatë të ngjashme. Ndërsa BE-ja ka synuar plehrat me bazë azoti me kufizime tregtare, importet e atyre me bazë kaliumi në fakt u rritën në vitin 2024 krahasuar me 2023 dhe 2022.
BE-ja ende prodhon vetë plehra kaliumi, por me kosto më të lartë, kryesisht për shkak të rregulloreve të rrepta mjedisore. Por, blloku mund të importojë edhe nga vende të tjera si Kanadaja dhe Izraeli, që do të thotë se sanksionet për këto importe ruse nuk do të përktheheshin domosdoshmërisht në mungesa për fermerët evropianë.
Shënjestrimi i ‘flotës së hijes’ së Rusisë
BE-ja gjithashtu dëshiron të gjejë mënyra për të goditur “flotën e hijes” të Rusisë — anije të amortizuara me pronësi të paqartë që Moska përdor për të anashkaluar kufirin e çmimit të naftës të vendosur nga G7. Ky kufi ka përcaktuar një çmim, aktualisht 47.60 dollarë për fuçi, me të cilin lejohet të tregtohet nafta bruto ruse.
Brukseli deri tani ka futur në listën e zezë 562 anije që përpiqen të anashkalojnë kufirin. Futja në listë të zezë nënkupton se ato nuk mund të marrin shërbime në asnjë port të BE-së, por besohet se ka të paktën edhe 400 të tjera që ende nuk janë synuar. Dhe ato ende lejohen të lundrojnë në ujërat e BE-së, duke shkaktuar shpesh frikë për derdhje nafte dhe rreziqe të tjera.
Franca kohët e fundit shpërndau një dokument diskutimi në kryeqytetet e BE-së për atë që mund të bëhet më shumë në këtë fushë. Thelbi i propozimit të Parisit është se BE-ja dhe vendet me të njëjtat qëndrime duhet të fokusohen në atë që ajo e quan “një qasje e drejtuar nga vëllimi.”
Kjo do të thotë, në thelb, rregullimi i sasisë së naftës që anijet lejohen të transportojnë. Pa dhënë detaje se si do të funksiononte në praktikë, dokumenti, i parë nga REL-i, vëren se hapi i ardhshëm i Brukselit duhet të jetë goditja e “të gjithë mundësuesve të flotës së hijes, veçanërisht rrjeteve të saj financiare, tregtare dhe logjistike në vendet e treta.”
Edhe pse kjo mund të nënkuptojë sanksione, dokumenti gjithashtu sugjeron “futjen e stimujve për të inkurajuar pronarët e anijeve të listuara të riintegrojnë kanalet legjitime të tregtisë” dhe “parandalimin e rritjes së mëtejshme të kapacitetit të ngarkesës përmes kontrolleve më të rrepta dhe kërkesave të kujdesit të shtuar gjatë shitjes së anijeve.”
Pastaj vjen çështja e ndalimit të anijeve që i përkasin flotës së hijes në ujërat evropiane.
Franca bëri bujë në shtatorin e kaluar kur autoritetet franceze hypën në anijen Pushpa/Boracay pas dyshimeve se ajo kishte marrë pjesë në incidente me dronë në Danimarkë më herët atë muaj, të cilat çuan në mbylljen e aeroportit të Kopenhagenit për disa orë.
Franca po u kërkon vendeve të BE-së të veprojnë më ashpër ndaj anijeve që mund të jenë në fakt pa shtetësi, duke argumentuar se “kur këto anije të dyshimta valëviten me flamuj të rremë, ose kur në realitet janë fshirë nga regjistri i shtetit flamur-mbajtës që pretendojnë, ato janë anije pa shtetësi” dhe për këtë arsye i bëjnë më të lehta për t’u ndaluar nga vendet evropiane pa shkelur Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.



