
BE: Në Evropë s’ka vend për mohim të gjenocidit
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, kanë vlerësuar se në Evropë nuk ka vend për mohim të gjenocidit në Srebrenicë.
Në 26-vjetorin e këtij gjenocidi, përmes një deklarate të përbashkët zyrtarët e lartë të BE-së kanë thënë se është detyra jonë e përbashkët që ta kujtojmë atë gjenocidë përgjithmonë. “Në Evropë nuk ka vend për të mohuar gjenocidin, revizionizmin dhe për të madhëruar kriminelët e luftës. Këto janë në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”, është thënë në deklaratën e tyre.
Në Bosnje dhe Hercegovinë shënohet sot 26-vjetori i masakrës, e cila është cilësuar si më e rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se këto vrasje kanë përbërë gjenocid. “Gjykatat ndërkombëtare, gjykatat e brendshme në Bosnje dhe Hercegovinë dhe vendet fqinje duhet të vazhdojnë të ofrojnë drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, si dhe për familjarët e tyre. Paqja mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësinë”, thanë Borrell dhe Varhelyi.
“Nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri – gjenocidi është gjenocid, qoftë i kryer në Srebrenicë apo gjetkë”, kanë thënë ata.
Dy zyrtarët po ashtu thanë se Evropa nuk e ka harruar përgjegjësinë e saj për dështim në parandalimin e gjenocidit në Srebrenicë.
Zona ku ka ndodhur masakra e Srebrenicës 26 vjet më parë, ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara./rel/