BE përshpejton riatdhesimet në fushatën kundër migrimit

11 dhjetor 2025 | 10:23

Migrantët mund të dërgohen në “qendra kthimi” jashtë shtetit sipas reformave të reja të kritikuara nga organizmat e të drejtave të njeriut.

Po të lexoni strategjinë më të fundit të sigurisë së Uashingtonit, e cila kritikon politikat e migrimit evropian dhe pretendon se kontinenti përballet me një ‘zhdukje të qytetërimit’, mund të mendoni se BE po hap kufijtë e tij plotësisht.

Në fakt, migrimi i parregullt drejt bllokut po zvogëlohet, dhe shtetet e BE sapo kanë miratuar rregullat më kufizuese të migrimit deri më sot, me qëllim që t’u lehtësojnë anëtarëve ndalimin dhe riatdhesimin e shpejtë të azikërkuesve të refuzuar.

Ministri i Migrimit i Danimarkës, Rasmus Stoklund, tha se reformat e reja do të ndihmonin në riparimin e një sistemi “jofunksionues” të BE dhe do të rivendosnin një ndjenjë “kontrolli”.

Megjithatë, këto masa kanë shkaktuar gjithashtu kritika të ashpra nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut, me Amnesty që akuzon BE për imitim të “ndalimeve, internimeve dhe riatdhesimeve masive të dhimbshme, çnjerëzore dhe të paligjshme që ndodhin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Dërgimi i migrantëve në qendra paraburgimi jashtë vendit?

Seria e reformave të mbështetura nga ministrat e Brendshëm të BE të hënën përfshin miratimin ligjor për idenë e ashtuquajturave “qendra kthimi”. Kjo mund të nënkuptojë qendra paraburgimi jashtë BE, ku migrantët mund të dërgohen për të përpunuar kërkesat për azil, ose madje si pjesë e një biletë me një drejtim jashtë Evropës.

Rishikimi i rregullave, i cili ende duhet të negociohet me Parlamentin Evropian, do t’u lejonte qeverive të BE të arrijnë marrëveshje me shtete jashtë kufijve të BE dhe të dërgojnë migrantët atje, edhe kur ata nuk kanë lidhje me vendin.

Edhe pse Danimarka filloi të eksplorojë mënyra për të dërguar migrantët në Ruandë në vitin 2021, anëtari i parë i BE që e zbatoi këtë ishte Italia. Vitin e kaluar, ajo krijoi qendra në vendin fqinj jashtë BE, Shqipërinë, por në Romë qendrat u përballën me probleme ligjore dhe u pezulluan.

Ministri i Brendshëm italian tha të hënën se marrëveshja midis ministrave lë qendrat me bazë në Shqipëri në një pozicion të mirë për t’u bërë shembulli i parë i vërtetë i një qendre kthimi të BE dhe për të “rikthyer” operacionet.

Megjithatë, analistja e politikave të migrimit Helena Hahn tha se “mbetet për t’u parë” se si do të duken qendrat e kthimit përtej modelit italian dhe, mbi të gjitha, cilat vende jashtë BE do të jenë të gatshme të pranojnë migrantët që synojnë Evropën.

Anija që transporton migrantë në Shqipëri. Ne foto police dhe migrante pas tyre.
Italia ka krijuar qendra paraburgimi në Shqipëri. Këto qendra kanë hasur sfida të shumta ligjore.Fotografi: Adnan Beci/AFP

“Shmangie e përgjegjësisë”?

OJF-të dhe aktivistët, përfshirë Human Rights Watch dhe Oxfam, në të kaluarën kanë kritikuar BE për “shmangien e përgjegjësisë së tij” duke u përpjekur të delegojë përpunimin e kërkesave për azil.

“BE po përpiqet të transferojë edhe më shumë nga përgjegjësitë e tij te vendet që tashmë strehojnë shumicën e refugjatëve dhe shpesh kanë shumë më pak burime,” thanë dhjetëra OJF vitin e kaluar.

Në deklaratën e tyre, ata insistuan se premtimet e BE për të mbrojtur të drejtat e migrantëve ishin “fjalë boshe”.

Stoklundi i Danimarkës i hodhi poshtë këto akuza të hënën. “Kur dërgojmë dikë në një qendër kthimi, ne do të jemi përgjegjës për respektimin e të drejtave të tyre të njeriut,” u shpreh ai për gazetarët pas bisedimeve në Bruksel.

Shtetet anëtare të BE gjithashtu mbështetën propozime të reja që synojnë përshpejtimin e dëbimeve, me dënime më të ashpra për migrantët që injorojnë urdhrat e dëbimit. Kjo vjen pas një marrëveshjeje të mëparshme mbi planet e BE për të ulur nivelin e marrëdhënieve tregtare me vendet që nuk bashkëpunojnë në dëbime.

Ministrat gjithashtu dhanë dritë të gjelbër për një listë të centralizuar të vendeve “të sigurta” që autoritetet kombëtare mund të përdorin për të përshpejtuar vendimet dhe për t’u mohuar lejen e qëndrimit atyre që kanë më pak gjasa të u jepet azili.

Për shembull, vetëm rreth 4% e banorëve të Bangladeshit që aplikuan për azil në BE vitin e kaluar u pranuan, dhe Bangladeshi kryeson listën e vendeve të konsideruara të sigurta nga Brukseli. Shtete të tjera në listë përfshijnë Indinë, Kolumbinë, Egjiptin, Marokun dhe Tunizinë.

Ministrat ranë dakord që edhe shtetet kandidate për anëtarësim në BE, si Mali i Zi, Moldavia dhe Serbia, të konsiderohen gjithashtu të sigurta, përveç në rastet e konflikteve ose kufizimeve të të drejtave themelore.

Shtetet bregdetare jugore si Greqia thonë se kanë nevojë për ndihmë nga anëtarë të tjerë të BE për të përpunuar kërkesat për azil nga njerëzit që mbërrijnë në bregdetet e tyre.

Flamuri i BE me tela me gjemba
Shtetet e BE duan dënime më të ashpra për njerëzit që injorojnë urdhrat e dëbimitFotografi: Lilly/imageBROKER/picture alliance

Rishpërndarje e migrantëve ose pagesa për mbajtjen e tyre

Shtetet e BE kanë finalizuar një plan që, sipas analistes Helena Hahn, kundërvepron në njëfarë mase tendencën drejt rritjes së kufizimeve.

I ashtuquajturi “fond solidariteti” do të bëjë që shtetet anëtare në veri dhe lindje të Evropës ose të pranojnë më shumë migrantë nga shtetet e jugut, ku mbërrijnë shumica e azikërkues, ose të kontribuojnë në një fond për të mbështetur vende si Qipro, Spanja, Italia dhe Greqia.

Hahn e përshkruan këtë si “një mekanizëm për organizimin dhe koordinimin e ndarjes së përgjegjësive midis ahteteve anëtare në lidhje me azilkërkuesit” dhe beson se është një “hap i madh”.

“Çështjet që lidhen me vendosjet, kuotat dhe shpërndarjen ‘e drejtë’ të azikërkuesve në të gjithë Evropën kanë qenë prej kohësh një nga çështjet kryesore të ndjeshme politike që kanë penguar zbatimin dhe funksionimin e sistemit të përbashkët evropian të azilit,” shpjegoi ajo.

Detajet se cilat vende do të paguajnë çfarë mbeten sekret, por Hungaria, anëtare e BE, tashmë ka premtuar se nuk do t’i ndjekë rregullat, gjë që mund të çojë në beteja ligjore të ardhshme midis Brukselit dhe Budapestit.

Votuesit dhe rritja e ekstremit të djathtë

Qytetarët e BE shpesh e përmendin migrimin e parregullt si një nga shqetësimet e tyre kryesore. Sipas të dhënave nga një sondazh i kryer më herët këtë vit në të gjithë Bashkimin Evropian, qytetarët e renditën atë të dytin, pas luftës së Rusisë në Ukrainë, në një listë me sfidat më të mëdha me të cilat përballet BE, përpara kostos së jetesës, ndryshimeve klimatike dhe çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes.

Partitë e ekstremit të djathtë, që përqendrohen në mesazhe kundër migrantëve po fitojnë popullaritet në shumë vende të BE, ndërsa forcat qendriste po përpiqen të rikthejnë votat.

“Po përballemi me një agjendë shumë kufizuese për migrimin,” i tha DW studiuesja Helena Hahn, duke vënë në dukje se gjithnjë e më shumë vende po përpiqen të gjejnë të ashtuquajtura “zgjidhje inovative” për të penguar, ndaluar dhe dëbuar migrantët.

“Por deri tani kemi parë shumë pak rezultate,” shpjegoi Hahn. “Prandaj mendoj se kjo tregon shumë për qëndrueshmërinë politike të disa prej këtyre ideve, të cilat duket se sugjerojnë se do të ishte mjaft e lehtë të zhvendosësh njerëzit nga A në B, pa marrë parasysh rrethana specifike politike, diplomatike ose praktike.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte në orën 18:45, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë…