BE: Rumania dhe Bullgaria do t’i bashkohen pjesërisht zonës Shengen në mars

31 dhjetor 2023 | 11:22

Bullgaria dhe Rumania do t’i bashkohen pjesërisht zonës Shengen nga fundi i marsit, sipas një njoftimi nga BE. 27 vendet anëtare të BE-së ranë dakord unanimisht për heqjen e kontrolleve kufitare ajrore dhe detare midis dy vendeve nga 31 mars 2024.

Komisioni Europian përshëndeti vendimin, i cili erdhi pas të paktën 12 vjet negociatash.

“Kjo shënon një moment historik për Bullgarinë dhe Rumaninë dhe një ditë krenarie të madhe për bullgarët dhe qytetarët rumunë”, tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.

Austria kishte vënë veton ndaj saj vitin e kaluar, duke protestuar për rritjen e numrit të emigrantëve të paligjshëm, përpara se të pranonte përfundimisht ta heqë veton në këmbim të garancive.

Sofja dhe Bukureshti ranë dakord të luftojnë imigracionin e paligjshëm më me vendosmëri në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar të shtunën me qeverinë austriake.

Në të njëjtën kohë, Bullgaria dhe Rumania u zotuan të zbatojnë plotësisht legjislacionin europian.

Rumania dhe Bullgaria, anëtare të Bashkimit Europian që nga viti 2007, nuk ishin pranuar në fund të vitit 2022 në këtë zonë të madhe, brenda së cilës 400 milionë njerëz mund të udhëtojnë lirshëm pa kontrolle të kufijve të brendshëm.

Zona Shengen për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave u krijua në 1985 dhe përfshin 23 nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eric Bailly është lojtari më i ri i Villareal. Klubi…