BE shpreh keqardhje për zhvillimet politike në Kosovë, pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese

06 mars 2026 | 19:16

Bashkimi Evropian ka thënë se i sheh me “keqardhje” zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Nga BE kanë deklaruar se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.

“Tani, po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar një zëdhënës i BE’së për Radio Evropa e Lirë.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës u mblodh mbrëmë për ta zgjedhur Presidentin, por që seanca dështoi në mungesë kuorumi, meqë në sallë nuk ishin deputetët e partive opozitare.

VV propozoi për president Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu kërkoi menjëherë nga Gjykata Kushtetuese që të pezullohen afatet kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjidhet brenda 60 ditësh.

Presidentja Vjosa Osmani ka nxjerrë Dekret për shpërndarjen e Kuvendit, mëngjesin e sotëm.

“Jam para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën ta dërgojnë vendin në zgjedhje. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës. Sot në përputhje me Kushtetutën kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit. Në një Republikë Kushtetuese ka diçka që është mbipartiake, është Kushtetuta e vendit”, tha Osmani.

Më pas u takua me krerët e partive për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.

Kryeministri dhe kreu i VV’së, Albin Kurti, e cilësoi si jokushtetues dekretin dhe paralajmëroi se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve nuk është kushtetues, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit ushtrohet vetëm në raste të paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta. Andaj kjo përbën një tjetër lëndë për Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi i futbollit Prishtina është dënuar nga Komisioni Disiplinor i…