
BE s’ka obligim të na anëtarësojë
Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka theksuar se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk është një proces automatik dhe se barra e reformave bie mbi shtetin.
Sipas Pecit, është një iluzion të mendohet se BE ka detyrim të anëtarësojë Kosovën.
”Ne mendojmë se BE e ka obligim me na bo anëtarë të saj, por asnjë obligim nuk e ka. Për me hy në BE duhet me i kry punët vet. Reformat për me hy në BE janë shumëdimensionale”, tha Peci, për RTV21.
Ish-diplomati Peci ka komentuar vizitën e kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas në Kosovë.
“Kallas erdhi me një energji të re për integrimin e rajonit në BE, por rajoni nuk mund të integrohet kështu siç është, duke përfshirë edhe Kosovën”, tha ai.
Peci tutje ka shtuar se qëndrimi i Kallas ishte që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të formohen sa më shpejt, për të rritur stabilitetin e vendit.
”Mundësisht që të ketë një qeveri sa më të gjerë, e cila do t’i merr obligimet do t’i kryejë obligimet që pastaj të ecim përpara”, tha Peci, teksa shtoi se me një qeveri më të gjerë kuptohet ”një qeveri stabile që është në gjendje ta merr përgjegjësin e plotë për dialogun dhe ta përfundoj atë”.