
BE synon t’i pezullojë pagesat për Izraelin
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja synon të pezullojë pagesat për Izraelin dhe propozoi edhe sanksione ndaj ministrave “ekstremistë” izraelitë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi gjatë fjalimit vjetor “Gjendja e Bashkimit Evropian” që mbajti para Parlamentit Evropian në Strasburg pezullimin e mbështetjes financiare për Izraelin dhe sanksionimin e ministrave “ekstremistë” izraelitë dhe të kolonëve të dhunshëm.
“Ajo që po ndodh në Gazë ka tronditur ndërgjegjen e botës. Njerëz të vrarë ndërsa lypin ushqim. Nëna që mbajnë në krahë foshnje të pajetë. Këto pamje janë vërtet katastrofike.” – tha von der Leyen, duke shtuar “Ne do ta pezullojmë mbështetjen tonë për Izraelin.”
Sa u përket sanksioneve ndaj anëtarë të qeverisë izraelite, fjala është ndër të tjerë për ministrin e Financave, Bezalel Smotrih dhe ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, të cilët janë vetë kolonë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe avokatë të fortë të vazhdimit dhe të zgjerimit të ngulimeve të paligjshme izraelite në rajon.
Gjithësesi Presidentja e Komisionit Evropian tha se jo të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të jenë në të njëjtën linjë me propozimet e saj.
Reagime nga anëtarë të Parlamentit Evropian
Gjatë fjalimit vjetor të von der Leyen mbështetja për Gazën në Parlamentin Evropian ishte e qartë në radhët e shumë partive politike. Një numër i madh anëtarësh ishin veshur me xhaketa apo bluza të kuqe për të simbolizuar një “vijë demarkacioni për Gazën”.
Anëtarët e Parlamentit Evropian në Strasburg i thanë DW se janë të lehtësuar që Presidentja von der Leyen tani po mban një qëndrim më të vendosur ndaj Izraelit. “Më në fund, diçka po lëviz”, tha Sandro Gozi, eurodeputet liberal, ish-ministër i Italisë për Çështjet Evropiane.
Bashkëkryetarja e Partisë së Gjelbër Evropiane, eurodeputetja holandeze Bas Eickhout, tha se propozimet e Presidentes von der Leyen janë “propozime modeste”, “por nisur nga vendi prej nga vjen, ky është sigurisht një hap i madh”.
Për pezullimin e marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, e cila mbështet marrëdhëniet tregtare, duhet të bien dakord të 27 vendet e BE-së. Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë për shkak të Hungarisë, dhe ndoshta edhe të Gjermanisë, të cilat mund të vendosin veton.
Qëndrimi gjerman ndaj propozimeve
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se qeveria gjermane “është njoftuar” për propozimet e BE-së dhe do të angazhohet në “dialog” me shtetet e tjera anëtare.
“Presidentja e Komisionit e bëri të qartë se do të dialogojë me shtetet anëtare mbi detajet e propozimeve të saj”, tha ai. “Ne po presim për këtë. Sigurisht që do të marrim pjesë në këtë dialog dhe tashmë jemi të angazhuar në një dialog të vazhdueshëm për masat e duhura brenda kornizës së BE-së.” /DW