BE vendos tarifë: 20 euro për hyrje, ja kur planifikohet të zbatohet?
Qytetarët e vendeve joanëtare të BE-së do të duhet të paguajnë 20 euro për të hyrë në vendet e Bashkimit Evropian nga viti 2026, me hyrjen në fuqi të sistemit të ri evropian të autorizimit të udhëtimit ETIAS, njoftojnë autoritetet evropiane.
ETIAS do të zbatohet pasi të përfundojë plotësisht implementimi i sistemit të hyrje-daljeve EES, i cili pritet të jetë funksional në të gjitha pikat kufitare të BE-së më 10 prill 2026. Sipas planit zyrtar, ETIAS pritet të nisë në tremujorin e fundit të vitit 2026.
Autorizimi ETIAS do të jetë i detyrueshëm për shtetasit e vendeve pa viza, përfshirë Maqedoninë e Veriut, dhe do të vlejë për udhëtime në 30 vende evropiane. Leja do të lidhet elektronikisht me pasaportën, do të jetë e vlefshme deri në tre vjet ose deri në skadimin e pasaportës.
Pagesa prej 20 eurosh do të kryhet gjatë aplikimit online përmes faqes zyrtare ose aplikacionit mobil të ETIAS, ndërsa disa kategori udhëtarësh do të përjashtohen nga tarifa. Autoritetet theksojnë se leja nuk garanton automatikisht hyrjen, pasi kontrolli përfundimtar mbetet në kompetencë të policisë kufitare.
Sistemi synon forcimin e sigurisë dhe kontrollit të udhëtimeve drejt Bashkimit Evropian.



