Bedri Hamza: Konferenca e Rambujesë, një moment vendimtar në historinë tonë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përkujtuar 6 shkurtin e vitit 1999, datë kur nisi Konferenca e Rambujesë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më vendimtare në historinë e Kosovës.
Sipas Hamzës, në Rambuje Kosova foli me zë të qartë dhe vendosi për të ardhmen e saj, duke zgjedhur paqen, lirinë dhe orientimin perëndimor. Ai theksoi se delegacioni kosovar, i udhëhequr nga Hashim Thaçi, mori vendime të rëndësishme që, sipas tij, e rreshtuan Kosovën në anën e drejtë të historisë.
“Më 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë, një moment vendimtar në historinë tonë. Kosova foli dhe vendosi për vetveten. Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, si kryesues i delegacionit, zgjodhëm paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë. Nëntë vjet më vonë, shpallëm edhe Pavarësinë e Kosovës. Sot nderojmë heronjtë tanë dhe falënderojmë të gjithë aleatët, që na mbështetën në çdo hap të lirisë dhe shtetndërtimit. E ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë, të cilët gjithnjë kanë qenë faktorë të stabilitetit dhe ndërtues të vizionit perëndimor të shtetit tonë”, ka shkruar Hamza në Facebook.



