Bedri Hamza: Tani është koha për një PDK të bashkuar
Pasi ka shpallur kandidaturën për kryetar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se beson se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend.
“Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Ai ka shprehur mirënjohje të thellë për themeluesit e PDK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, për të cilët ka uruar të jenë së shpejti mes nesh.
“Unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja”, ka thënë ai.
Hamza ka falënderuar edhe Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, për udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash.
“Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve. Ju falënderoj të gjithëve për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen!”, ka theksuar Hamza.



