Begaj: Dialogu, rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon.
Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se ky proces është rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve.
“Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon dhe vende kontribuuese të rëndësishme për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm”.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqimisht nga ShBA-ja është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Begaj, duke shtuar se me presidenten Osmani diskutuan edhe për procesin e njohjeve të Kosovës.
“E sigurova presidenten Osmani për mbështetjen e plotë dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me të gjitha mundësitë e saj në mënyrë konstruktive në funksion të këtij dialogu. Sa i përket procesit të njohjeve të Kosovës, ndamë mendimin se është i nevojshëm një koordinim dhe bashkërendim më i mirë i punës mes institucioneve të dy vendeve”, ka thënë ai.



