Begaj takohet me kryaparlamentarin e Maqedonisë së Veriut: Studentëve shqiptarë t’u garantohet e drejta për provimin në gjuhën amtare

14 prill 2026 | 16:15

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në takim kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin.

Takimi është fokusuar në marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, problematikat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të drejtat e tyre me fokus në gjuhën shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucione dhe nevojën e bashkimit të faktorit politik shqiptar kur bëhet fjalë për të mbrojtur çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Për Begajn, “ligji për përfaqësimin adekuat dhe Marrëveshja e Ohrit nuk janë për diskutim, janë për zbatim!”

Më tutje, Begaj ka kërkuar angazhimin e kryeparlamentarit Gashi në zgjidhjen e kërkesave të studentëve të Jurisprudencës për të dhënë provimin në gjuhën shqipe.

“Unë uroj që studentëve që protestojnë për dhënien e provimit në gjuhën shqipe t’u lejohet kjo e drejtë dhe të rregullohet ky mekanizëm në mënyrë ligjore e të drejtë”, ka thënë Begaj, duke shtuar se shqiptarët janë faktor shtetformues në Maqedoninë e Veriut.

“Shqiptarët janë faktor shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në një shtet multietnik bashkëjetesa dhe mirëkuptimi ndërmjet etnive janë shumë të rëndësishme. Garantimi institucional me kornizë ligjore detyruese i të drejtave të fituara dhe jo produkt i balancave të rastësishme është një garanci më shumë për avancimin real të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt proceseve integruese në BE”, ka thënë ai.

Fuqizimi i diasporës shqiptare, që Begaj e ka quajtur “fuqia dhe zemra e kombit”, ka thënë se ishte, gjithashtu, një ndër temat që janë diskutuar në takim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
D.P.Z. Fadili shpall te pavlefshme certifikatën e biznesit me numër…