
Begaj takohet me Ulutashin, rikonfirmon mbështetjen e Shqipërisë për KFOR-in
22 tetor 2025
| 15:46
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, i cili së fundmi ka ardhur në krye të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Rreth takimit, kreu i shtetit shqiptar ka njoftuar përmes një shkrimi në platformën sociale “X”.
“I urova mirëseardhje komandantit të misionit të NATO-s, KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash. Shpreha vlerësimin për rolin thelbësor të KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në të gjithë rajonin, duke riafirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për këtë mision”, ka shkruar Begaj.
Ulutash është rikthyer në krye të KFOR-it më 3 tetor, post të cilin e kishte dorëzuar rreth një vit më parë, më 11 tetor 2024.