Begatia e figuracionit në poemën “Histori e Skënderbeut” të Naim Frashërit

17 nëntor 2025 | 08:45

Sadik Krasniqi

Shprehia poetike e ligjërimit të Naim Frashërit në poemën heroike Histori e Skënderbeut është shumë e pasur, me figura letrare të ndryshme. Te kjo poemë gjejmë më së shpeshti: metafora, simbole, personifikime, hiper­bola, si dhe litotën. Pos figurave poetike – tropeve, në këtë poemë gjejmë edhe figura stilistike apo të ligjërimit, si: aliteracioni, anafora, antiteza, pyetja retorike etj. Naimi është ndër rilindësit e rrallë që, duke përdorur figura të ndryshme me efekt artistik, arrin që të tillat t´i përligjë në letërsinë shqipe. Pothuajse s’ka figurë artistike që përdor ky autor, që nuk shkon në funksion të artistikes.

Metaforën e përdor të zgjeruar dhe kryesisht të mbësh­tetur në modelin e frazeologjisë popullore. Bie fjala, rrjedhën e kohës e shpreh mjaft bukur metaforikisht edhe në këtë shembull:

Ditët ishin duke shkuar,

vinin me vrap si lumi,

I turbullt, i kulluar

që ikën e nuk e zë gjumi.

(K. II)

Me anë të metaforës poeti përshkruan edhe vetitë e dobëta të karaktereve negative në këtë poemë. Për Muratin metaforikisht shprehet se: Në gjuhë kishte dhelpërinë, ose për mbetjen e ndonjë luftëtari në fushën e betejës: Ia bëri ditën natë.

Në poemën heroike të Naimit gjejmë mjaft dendur simbole apo situata simbolike. Ai i krijon këto simbole me anë të figurave historike. Me Hamzain simbolizon njeriun negativ, me

Ballabanin tradhtarin, me Volterin e Rusoin simbolizon diturinë, kurse Murati dhe Mehmeti bëhen simbole të së keqes dhe dhunës. Antipod i këtyre është Skënderbeu, i cili simbolizon qëndresën dhe ngadhënjimin. Personifi­kimi naimjan ndërtohet me anë të thirrjes apo shpirtë­zimit të sendeve dhe fenomeneve. Duke shpirtëzuar kohën, ai thotë se: Rrjedh si lumi, as dremit, as s´e zë gjumi. Naimi personifikon gjërat, duke dashur t’i shpirtëzojë ato. Kraha­simet dhe epitetet, të përdorura aq shpesh, krijojnë për­shtypjen se poema heroike mbi Skënderbeun është e ndër­tuar mbi këto dy figura. Naimi në poemën e tij aplikon dy lloje krahasimesh: të thjeshta dhe të zgjeruara. Krahasi­met e thjeshta i ndërton kryesisht me anë të lidhëzave si dhe posi.

Nga dy anët shigjeta,

binin me fishkëllimë,

dhe ndrinin të shkretat,

në diell si vetëtimë.

Ndërsa krahasimet e zgjeruara janë të ndërtuara me lidhëzat kështu dhe ashtu.

Në këto vargje vërehet se, për të krijuar situata të tilla imazhiste, krahasimin e ndihmon edhe cilësori apo epiteti. Cilësori si epitet, në këtë poemë, hyn në funksion për ta vënë në pah bukurinë fizike të heronjve, e cila rrjedh nga fisnikëria shpirtërore e tyre. Epitetet në njëfarë mënyre i japin freski poemës me elemente të së bukurës. Në këtë ligjërim poetik do të hasim cilësorë etikë, estetikë, fizikë dhe emocionalë. Cilësorë më të dendur janë ata fizikë, që pothuajse njëkohësisht janë edhe estetikë, p.sh.: leshra prej floriri, symëshqerrë, leshbardhë, lule t´arta, sypishë, syshigjetë etj. Mjaft shpesh në poemë gjejmë edhe cilë­sorë emocionalë, të cilët krijojnë situata të ndryshme shpirtërore, më shpesh të zymta, por herë-herë edhe të hareshme. Duke u bazuar në cilësorët me efekte emocio­nale, na del në pah qëndrimi etik i Naimit, që dënon të keqen dhe luftën.

Epiteti cilësor i(e) shkretë përdoret sa herë që i para­prin emri luftë. Këtë cilësor shpesh e gjejmë të shoqëruar me emrin vdekje, fushë, varr. Të gjithë këto janë të shkreta për poetin.

Naimi me epitetin i(e) shkretë në shumë raste krijon edhe anatemë, me të cilën mallkon të keqen njerëzore. Epitete të tjera emocionale kemi: sytë e egërsuar, e zeza mëmë, luftë e tmerrshme etj.

Për faktin se Histori e Skënderbeut është një poemë heroike, doemos poeti ka qenë i detyruar ta përdorë në masë të madhe edhe hiperbolën. Zmadhimi është mënyrë e shikimit apo e projektimit të botës nga romantikët në përgjithësi.

Heroi i poemës përmes kësaj figure i afrohet të madhë­rishmes. Edhe pse e përdor mjaft dendur këtë figurë fol­kloristike, poeti e bën me mjeshtëri të rrallë, gjë që plo­tëson idenë e veprës.

Naimi në Histori e Skënderbeut hiperbolizon çdo gjë për ta bërë sa më madhështore heroikën e veprave të kryepersonazhit. Ai në fushën e betejës zmadhon numrin e ushtarëve turq krahas numrit konstant të shqiptarëve. Kur lufton Skënderbeu, me mijëra vdesin në taborin e armikut, lumi bëhet kënetë nga gjaku, fusha mbulohet me të vdekur, dridhet trolli, shprehet tekstualisht autori.

Herë-herë poeti hiperbolizon edhe vetë trimërinë e Sulltanit për ta madhëruar atë të kryepersonazhit. Vepri­met e Gjergj Kastriotit, të ilustruara me këtë figurë, shtojnë vizualitetin e skenës luftarake.

Ç´u ka bërë Skënderbeu armiqve atë natë,

i griu, i shoi, i preu,

aq shumë ndrinte shpata,

sa shkelte mbi yje e shkonte,

me vrap nga frika e asaj nate,

ditës vend i lëshonte.

(K. XII)

Këtu edhe pse ngërthehen tri trope, si personifikimi, metafora dhe hiperbola, prapëseprapë dominon kjo e fundit. Naimi me mjeshtëri përdori edhe litotën për ta arritur efektin e simpatisë. Naimi Frashëri shpesh në poemë për njeriun shprehet njerth, për Shqipërinë Shqipërizë, për dritën dritëz. Me këto trope të dendura poeti me mjaft sukses arrin ta transferojë artistikisht lëndën e historisë në një poemë heroike.

Në saje të këtyre figurave, kjo vepër gjithsesi ka edhe vlera estetike.

Mund të themi se Naim Frashëri, ndër romantikët tanë më të shquar, i krijoi veprat sipas programit të Rilindjes Kombëtare, ndërsa Rilindja Kombëtare u bë e madhe në saje të veprave të tij. Ato sikur lindën njëra-tjetrën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën tre persona janë vrarë në një sulm të…