Behrami: Deputetët e VV-së pa fjalime, “Dejona ish pa qejf e s’ka mujt me ua shkru”
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, thumboi deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje duke thënë se ata patën pak fjalime sot në Kuvend për shkak se Dejona Mihali nuk ka arritur t’ua shkruajë ato.
Këto fjalë i tha sot gjatë seancës për rritjen e çmimit të naftës.
“Të gjithë po çuditen dhe po pyesin pse kaq pak fjalime prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Dëgjova që Dejona ish paqejf, e s’ka mujtë me ua shkru të gjithëve fjalimet”, tha Behrami në foltoren e Kuvendit.
Behrami thumboi edhe më shumë kryeministrin Albin Kurti duke thënë se ai u largua nga seanca për ta dëgjuar intervistën e ish-këshilltarit të tij, Shkëlzen Gashi, ekspozita e së cilit u kritikua rëndë për pasaktësi në përmbajtje.
“Baba ideologjik [Kurti] i cili e braktisi Kuvendin, e ka braktisë edhe Kuvendin, edhe Kosovën, sa herë iu ka dashtë, sepse braktisja edhe ikja janë doktrinë politike e tij.
“Por, ku ka ikë ai? Ai ka ikë në xhipin e tij me xhama të zi në vlerë prej 540 mijë eurosh, i blinduar, i blerë jo nga një operator i Kosovës, por nga një operator në Bullgari, dhe cili është skandali i kësaj? Qeveria dhe Albin Kurti sot morën naftë edhe benzinë me çmim ma të lirë se sa qytetarët për 10 deri në 15 cent. Derisa një punëtor i krahut me Golf 2 të vitit 1986, pa pagë të 13-të, pa sigurim shëndetësor, pa perspektivë, pa siguri, paguan 1 euro e 80 cent deri në dy euro benzinë, edhe naftë
Por ikja e tij mundet me u ndërlidhë edhe me diçka tjetër. Përderisa ne po flasim, këshilltari i tij i përjetshëm Shkëlzen Gashi është duke mbajtur një intervistë edhe besoj se me vëmendje shkon e dëgjon…”



