Behrami dorëzon në shtyp “Ditarin transformues”

16 nëntor 2022 | 15:37

Autorja më e suksesshme në të gjithë hapësirën shqipfolëse, Antigona Behrami, autore e pesë librave best seller, sjell të gjashtin me radhë, me titull “Ditar transformues me lutje që ndryshojnë jetën”.

Në shënimin hyrës të librit autorja ka dhënë sqarime të mjaftueshme për librin. “Ky ditar është nektar i shpirtit. Nëpërmjet lutjeve që kam bërë e që kam shkruar në këtë libër dhe i kam shprehur Zotit, kam ndier afërsinë me të në çdo kohë, në çdo rast, në çdo të mirë dhe të keqe. Ky ditar është për të gjithë ata që dëshirojnë t’i gjejnë rrugët e sakta, të vërteta, të dobishme dhe që duan të jenë më pranë Zotit. E kur jemi më pranë dhe pranë tij, jemi më të lumturit në botë! Ky ditar është për ata që dëshirojnë të nisen dhe t’i gjejnë sekretet e jetës. Është për të gjithë ata që besojnë se lutja është shërim. Është për të gjithë ata që nuk harrojnë të luten. Është edhe për të gjithë ata që kanë harruar të luten. Ky ditar është për ata që dëshirojnë të ndërtojnë një personalitet të fortë, për të ngjallur vetëbesim të fortë te vetvetja, por edhe të krijojnë guxim si dhe ta duan veten dhe jetën me të gjitha ato të mira që i rrethon. Ky ditar është për çdo njeri që është duke e kërkuar rrugën e suksesit, që është duke kërkuar shëndet të mirë, jetë të lumtur dhe të qetë. Është ditar që na mëson të lutemi shqip. Është ditar që zbut zemërimin, forcon bindjen, motivon për punë dhe suksese. Është ditar që, nëpërmjet lutjeve, njeriun e lidh me Zotin. Ky ditar është një vendtakim me Zotin. Duke e ndier Atë brenda vetes dhe duke i ndier lutjet e pranuara tek Ai, e gjejmë dhe i shohim të mirat e tij që na vijnë një pas një”.

Antigona Behrami dje pasdite në rrjete sociale i ka njoftuar miqtë se ka dorëzuar në shtyp librin e ri, por aty nuk ka treguar se kur do të fillojë shitja e tij.

“Mikesha dhe miq anekënd botës,

Po ndaj me ju një gëzim tjetër të radhës. Një gëzim të përbashkët. Sa unë që po ndiej gëzim për këtë lindje të këtij libri, do të ndieni edhe ju sapo ta shikoni pamjen e tij këtu e sapo ta keni librin në duar. Kemi punuar bashkë shumë dhe kohë të gjatë, ditën dhe natën. Kemi bërë ndryshime të mëdha në jetën tonë. Do të bëjmë edhe më tutje. Kemi përballuar sfida të ndryshme dhe i kemi kapërcyer ato me durim dhe besim. Do të punojmë edhe më tutje bashkërisht, me besim edhe më të fortë.

Sot “linda” edhe një binjak të “Ditarit transformues”. Nuk është vazhdim i tij. Ky është libër i ri. I fuqishëm, po sa ai. Në këtë libër janë dymbëdhjetë sfida, janë dymbëdhjetë lutje dhe janë qindra faqe në të cilat, në mëngjes, në mesditë dhe në mbrëmje, do të shkruani për ndjesitë e juaja menjëherë pas lutjeve. Kemi thënë sepse kemi besuar: Lutja është shërim. Tashmë e dimë se lutja është edhe shpërblim. T’u bëjmë ballë edhe këtyre dymbëdhjetë sfidave, të lutemi dhe të punojmë për jetën tonë në këtë ditar. Bashkërisht, duke i shprehur dashuri njëri-tjetrit, do ta pasurojmë vetveten dhe tjetrin përballë ose përbri nesh. Këtë qëllim kemi pasur në jetë që prej kur kemi ardhur në këtë botë.

Na priftë e mbara me dashur përpara!

Ju pafsha gjithmonë të lumtur e me begati përplot!

Me shumë dashuri dhe respekt për ju,

Antigona!”

Gazeta “Epoka e re” ka kontaktuar me autoren e këtij libri, e cila ka njoftuar se libri do të dalë nga shtypi të shtunën dhe, fillimisht, do të fillojë shpërndarja e tij te personat që e kanë porositur atë e që, sipas saj, janë mbi 10 000 persona. Behrami ka bërë me dije se nuk do të lënë pa ekzemplar asnjë të interesuar, pasi që në javën tjetër do të ribotojë ekzemplarë të rinj.

“Librin e kam dorëzuar në shtyp dje dhe po dje ka filluar shtypi i tij. Ekzemplarët do t’i marr të shtunën. Deri më tash janë porositur mbi 10 000 copë. Sapo t’i shpërndajmë këta ekzemplarë, e që besoj brenda pesë ditësh ata që e kanë porositur do ta kenë në duar, do ta fillojmë shtypin e ekzemplarëve të rinj. Ndihem jashtëzakonisht e lumtur që njerëzit po punojnë me librat e mi dhe po priten me interesim të madh”, ka thënë Behrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nga mbrojtësit më të mirë anglez që ka luajtur…