
Behrami: Gjykata Speciale vendos politikisht – Thaçi u lejua të vizitojë babanë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve
Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, ka fajësuar Gjykatën Speciale për qasje të politizuar në vendimet e saj, veçanërisht në lidhje me refuzimin për disa herë të vizitës humanitare.
Behrami ka theksuar se miratimi i vonuar i vizitës është bërë vetëm pas përfundimit të fushatës zgjedhore në Kosovë.
“Të drejtat e zoti Thaçi dhe krerëve të UÇK-së u janë shkelur që nga dita e parë, kur janë marrë para pothuajse 5 vitesh. Dhe në mënyrë sistematike të drejtat e tyre janë shkelur. Në kohën e fundit e kemi parë që presidenti Thaçi dhe mbrojtja e tij kanë bërë disa kërkesa për të vizituar babin e tij, i cili është i sëmurë tash tri javë e më shumë, për të vizituar atë. Mirëpo Gjykata Speciale, e udhëhequr prej dotrinave politike, ka anuluar vizitat e tij”, tha Behrami.
Tutje, ai thotë se është e papranueshme që Gjykata Speciale tregon se sa duhet të jetë i sëmurë dikush që të vizitohet nga ata që po mbahen në Hagë.
“Dhe kur i ka anuluar ato? I ka anuluar ato kur kemi qenë në një fushatë zgjedhore, pra Gjykata Speciale nuk është ndonjë trup i pavarur që vendos larg politikes, por pikërisht i analizon rrethanat politike, se cilës parti i bien mirë e cilës keq, ajo vendos se kur duhet ta vizitojë presidenti Thaçi babain e tij. Është e papranueshme që Gjykata Speciale në argumentin e tyre e kanë bërë një analizë se sa duhet me qenë i sëmurë dikush për ta vizituar atë. Për të plotësuar këtë kriterin e vizitës humanitare”.
Behrami thekson se tani e rëndësishme është që Thaçi e ka parë babanë e tij.
“Unë mendoj që kjo është e padrejtë, pas katër kërkesave më në fund presidenti Thaçi është lejuar të vij te babai i tij. Të vizitojë babain e tij. Më mirë do të ishte ta vizitonte tri jave më përpara. Meqë kur dikush është i shtrirë në spital, zakonisht gjendja e tyre më shumë ka predispozita më u përkeqsu se sa me u permiresu”.