
Behrami i PDK-së: Osmani vazhdoi fshehurazi mandatin e EULEX-it, pa debat dhe pa kërkuar garanci për krerët e UÇK-së
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të vazhduar mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), duke e cilësuar këtë veprim si “skandaloz dhe tinëzar”.
Sipas Behramit, presidentja e Kosovës ka bërë një shkëmbim letrash me Bashkimin Evropian për të vazhduar mandatin e EULEX-it, dhe rrjedhimisht edhe të Gjykatës Speciale, pa asnjë debat publik dhe në mënyrë të fshehtë.
Ai e ka akuzuar Osmanin se po e fsheh përmbajtjen e marrëveshjes dhe se ka vepruar në kundërshtim me transparencën që i takon një institucioni të lartë shtetëror.
“Vazhdimi i misionit të EULEX-it, pas padrejtësive që janë bërë në kuadër të Gjykatës Speciale dhe pa u zhvilluar asnjë debat publik, është skandaloz,” ka deklaruar Behrami.
Deputeti i PDK-së, ka theksuar se presidentja ka pasur mundësinë dhe përgjegjësinë të vendosë kushte para vazhdimit të mandatit, sidomos për të kërkuar garanci nga EULEX-i për lirimin nga paraburgimi dhe mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare.
“Presidentja është dashur të negociojë vazhdimin e mandatit, me kusht që EULEX të marrë përsipër garancitë që kërkon Gjykata Speciale për lirim nga paraburgimi dhe mbrojtje në liri të krerëve të UÇK-së,” ka thënë ai.
Më tutje, Behrami ka rikujtuar se EULEX-i nuk është një mision neutral, por është “mekanizmi kryesor i Gjykatës Speciale në Kosovë” dhe çdo vendim që lidhet me të duhet të kalojë përmes transparencës dhe konsensusit institucional, jo me veprime të njëanshme”.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur besimi publik në drejtësinë ndërkombëtare është tronditur, dhe çdo veprim që ndikon në të drejtat e të akuzuarve nga radhët e UÇK-së pritet me vëmendje të lartë nga publiku dhe spektri politik.