
Behrami për gjyqtarët dhe prokurorët e Speciales: Janë kthyer në instrumente të politikës
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se sanksionimi i ish-gjyqtarit të Speciales, Nicolas Guillou, është vetëm një prej rasteve kur gjyqtarët e Speciales u kthyen në mekanizma të politikës.
Ai ka përmendur edhe Jack Smithin e Alex Whiting.
Postimi:
Rasti i ish-gjyqtarit Nicolas Guillou, i cili kishte urdhëruar arrestimin e krerëve të UÇK-së dhe bastisjen e banesës sime, është shembulli më i qartë se si drejtësia është shndërruar në mjet politik.
Nuk është rastësi që ky person tashmë gjendet nën sanksione, pikërisht sepse ka përdorur mjetet juridike si armë politike, duke e zhveshur punën e tij nga çdo element të paanshmërisë gjyqësore.
Ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një modeli më të gjerë.
Jack Smith, ish-kryeprokuror i Dhomave të Specializuara, pas mbylljes së mandatit në Kosovë, u dërgua në SHBA për të ngritur akuza të motivuara politikisht ndaj presidentit Donald Trump.
Pasuesi i tij, Alex Whiting, ndoqi të njëjtën rrugë. Dhe tani, Guillou vetë është vendosur në vijën e parë për ndjekjen e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, duke treguar qartë se ky “profil gjyqësor” përdoret për misione politike ndërkombëtare.
Kështu, Gjykata Speciale për Kosovën nuk është asgjë më shumë sesa një instrument i politikës së stilit Eulex 2.0, një mekanizëm i ndërtuar për qëllime politike, e që tashmë ka tejkaluar kufijtë e Kosovës nga logjika instrumentalizuese.
Në vend që të garantojë drejtësi të paanshme, ajo po shërben si mjet për ndërhyrje në proceset e brendshme politike të vendeve të tjera – duke e shndërruar drejtësinë në një instrument të pastër të pushtetit.