Behrami: Votimi i fshehtë, formulë e LVV për të fshehur votën e Listës Serbe

02 maj 2025 | 22:15

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje(LVV) duhet ta ndërrojë kandidaten Albulena Haxhiu për të parën e Kuvendit, pasi që sipas tij ajo personifikon përçarjen dhe dhunën politike në vend.

Behrami tutje është shprehur se kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit, nga pozita e ministres, kishte ndalur fondet për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.

“Konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës është në duart e deputetit Albin Kurti dhe në duart e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët me çdo kusht, me çdo mënyrë, po mundohen që ta katapultojnë zonjën Haxhiu si Kryetare të Kuvendit dhe së fundmi edhe me idenë që të shkohet përmes një vote të fshehtë”, ka thënë ai.

“Formula për votim të fshehtë është formulë për me fsheh votën e Listës Serbe, me të cilët Lëvizja Vetëvendosje ka pothuajse koalicion formal. Pra, kjo ka qenë ideja e tyre që të krijohet një mënyrë ku Lista Serbe mund të votojë deputeten Haxhiu dhe ku faji, si gjithmonë dhe siç e ka në ideologjinë dhe në botëkuptimet e tyre LVV që t’ia hedhë opozitës”, ka thënë ai.

Deputeti Behrami tutje ka thënë se kjo që po bën LVV është “politikë shumë e ndytë”.

Ashtu siç ka dështuar votimi i fshehtë në tentativën e nëntë, Behrami ka thënë se njëjtë do t’i ndodhë Kurtit edhe nesër në tentativën e ardhshme.

Behrami ka thënë se votuesit e tij nuk e kanë votuar atë që t’i nënshtrohet diktatit të Albin Kurtit.

“Mua më kanë votuar që t’i përfaqësoj interesat e qytetarëve të Kosovës, interesat e tyre, interesat edhe të partisë politike… edhe në botë nuk votojnë shpesh ndryshe deputetët prej partive të tyre politike.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën tetë persona u lënduan, tre prej tyre rëndë,…