
Bekaj dhe Krasniqi optimistë për ndeshjen ndaj Armenisë: Atmosferë e mirë dhe grup i bashkuar
Portieri Visar Bekaj, një nga lojtarët më me përvojë në grup, ka theksuar rëndësinë e këtyre ditëve të fundit të stërvitjeve dhe ka vlerësuar frymën e bashkëpunimit që ka mbretëruar brenda ekipit.
“Stërvitjet po shkojnë shumë mirë dhe atmosfera është e jashtëzakonshme. Lojtarët e rinj janë përshtatur shumë mirë, ndërsa ne, lojtarët më me përvojë, jemi kujdesur t’i mirëpresim. Këto dy ndeshje janë të rëndësishme për ne – gjithmonë luajmë për fitore dhe do të japim 100%”, ka thënë Bekaj.
Nga ana tjetër, anësori i shpejtë Ermal Krasniqi ka ndarë përshtypjet e tij për intensitetin e stërvitjeve dhe analizat që po bëhen për kundërshtarin. Ai ka folur për përkushtimin maksimal të grupit dhe për gatishmërinë e ekipit për të dhënë gjithçka në fushë.
“Sot ishte dita e katërt e stërvitjeve. Grupi është shumë i mirë, të gjithë po japin maksimumin dhe po e analizojmë kundërshtarin në detaje. Armenia është një ekip shumë më i fortë sesa më parë, por ne jemi gati të japim më të mirën dhe të shënojmë një fitore të rëndësishme për të gjithë shqiptarët”, deklaroi Krasniqi.
Kosova do të zhvillojë nesër në orën 17:00 seancën e fundit stërvitore para përballjes me Armeninë.