Bekë Berisha për ish-krerët e UÇK-së: Këta heronj do të kthehen në shtëpitë e tyre, aty ku e kanë vendin
Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Beke Berisha, ka reaguar pas protestës në Hagë, ku theksoi se sot u tha e vërteta që nuk mund të kontestohet, as të fshihet.
Berisha theksoi se ish krerët e UÇK-së nuk u përkulën në luftë, dhe as nuk do të përkulen sot, duke shprehur besimin se heronjtë e UÇK-së do të kthehen në shtëpitë e tyre.
E plotë:
Sot Haga foli shqip!
Sot u tha e vërteta që nuk mund të kontestohet, nuk mund të fshihet, nuk mund të shlyhet.
“Liria ka emër”, “Drejtësi”, “Vetëm drejtësi, jo politikë” – ishin disa nga parullat që valëviteshin bashkë me flamujt kuqezi që protestuesit shqiptarë mbanin në duar, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Ata nuk u përkulën atëherë, nuk do të përkulen as sot! Këta heronj do të kthehen në shtëpitë e tyre, aty ku e kanë vendin.
Sepse toka e di të vërtetën. Dhe toka kurrë nuk gënjen.
Mirënjohje për të gjithë Çlirimtarët!



