
Bekë Berisha: Po më duket se po duan të vazhdojnë me bllokadë
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka kritikuar bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke thënë se palët politike po e zvarrisin situatën me qëllim.
Para nisjes së seancës së 39-të për përpjekjen për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Berisha u shpreh se nuk i ka kuptuar versionet e deritanishme të palëve dhe i cilësoi ato si përpjekje për të vazhduar bllokadën.
Ai tha se është koha që të thyhen disa “rregulla të heshtura” dhe t’u jepet zgjidhje situatës.Berisha akuzoi qeverinë në ikje, në veçanti kryeministrin Albin Kurti, për vënien e kushteve që sipas tij po e thellojnë krizën politike.
“Unë nuk i kam kuptuar këto versionet e shpjegimit të asnjëres palë, po më duket dojnë me vazhdu apet me bllokadë. Nuk e ka njëjetin e mirë askush këtu. Duhet me dal me i prish do rregulla që me i qit në dinë, që thotë populli. Duhet me marrë fjalën, nëse është rregull mos me fol kurrë, me ja ba një tavolinë qaty e me ju thënë: merruni vesh tash. Në sy të popullit, se po dalin e po rrejnë, po takohen msheft, se nuk e ka një jetë kush prej këtij ngërçi, më së shumti këta që e kanë përgjegjësinë, Albin Kurti që po qet kushte. Nuk kemi ne as president as kurgjë,” tha ai.