
Bekim Jashari viziton familjen e Hysni Gucatit
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, bashkë me nënkryetarin e komunës, Nuredin Lushtakun, kanë vizituar familjen e kryetarit të OVLUÇK-së, Hysni Gucatit, i cili të premten është arrestuar nga Gjykata Speciale dhe është dërguar në Hagë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Jashari ka shkruar se beson thellë në pafajësinë e ushtarëve të UÇK-së.
Postimi i plotë i Jasharit:
Bashkë me Nënkryetarin, Nuredin Lushtaku dhe me drejtorë e asambleistë, vizituam familjen e Kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, babain e tij bacën Avdullah, i cili pavarësisht sfidave që ka kaluar ende mbetet i fortë dhe krenar me luftën dhe sakrificën e djalit të tij Hysniut dhe shokëve të tij.
Biseduam rreth situatës në vend, arrestimit të Kryetarit Gucati dhe bashkëluftëtarëve të tij si dhe shprehëm bindjen tonë të thellë se edhe kësaj radhe luftëtarët e lirisë do të dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit tonë liridashës.
Krenar me kryetarin, Hysni Gucati dhe luftëtarët e Lirisë!
Besojmë në pafajësinë tende dhe luftën e drejtë të UÇK-së i nderuar Kryetar Gucati!