 
                    Bektashi: Buxheti i miratuar nga Qeveria në detyrë do të sjellë pasoja për stabilitetin financiar të Kosovës
Vendimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës për buxhetin e ri dhe rritjen e pagës minimale e pensionit dhe beneficioneve, do të kenë pasoja të shumta për qëndrueshmërinë financiare të Kosovës, thotë Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.
Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti, të premten miratoi buxhetin për vitin 2026, i cili kap vlerën e rreth 4 miliardë eurove.
Ajo e rriti pagën minimale nga 350 deri në 500 euro, që pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, si dhe rriti pensionin minimal dhe shtesat për fëmijë qysh nga muaji i ardhshëm.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Bektashi tha, gjithashtu, se ky buxhet nuk është edhe aq i madh, dhe e vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimeve të ndërmarra nga një Qeveri në detyrë.
Ai vlerëson se vendimet për rritjen e pagës minimale, pensionit bazik dhe shtesave të fëmijëve janë “populliste”.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Bektashi, Qeveria në detyrë e ka miratuar buxhetin e ri në vlerë rreth 4 miliardë euro. A është ky buxhet real, apo më shumë ambicioz politikisht, duke qenë se u propozua nga një Qeveri në detyrë?
Mejdi Bektashi: Aprovimi i buxhetit prej katër miliardë eurosh nuk është ndonjë vlerë edhe aq e madhe, pasi në Kosovë ka informalitet të madh, por çështja duhet të ngrihet në atë se a ka të drejtë Qeveria në detyrë të aprovojë në mbledhjen e saj buxhetin prej katër miliardë eurosh.
Së pari, është vendimi i Gjykatës Supreme që [thotë se] një ministër nuk mund të jetë njëkohësisht deputet, apo deputeti të jetë ministër njëkohësisht. Sot, faktikisht, ministri në detyrë i Financave gjendet në një konflikt të pastër të interesit, pasi personi i njëjtë që e propozon buxhetin duhet të votojë edhe për aprovimin e buxhetit.
Në shtetet ku nuk ka ndarje të pushtetit në mes të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, nuk mund të flasim për një shtet demokratik.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë çfarë do të ndodhë?
Mejdi Bektashi: Unë besoj se këtë propozim – sot ka qenë dita e fundit sipas Ligjit mbi menaxhimin e financave publike që të propozohet nga ana e Qeverisë – ministri nuk ka pasur të drejtë [ta bëjë] pa u formuar komisionet parlamentare… Kuvendi ka komisione dhe të gjitha vendimet në lidhje me aprovimin e ligjeve më të rëndësishme, që përcaktojnë edhe fatin e bizneseve dhe të qytetarëve për vitin e ardhshëm, duhej të ishin aprovuar edhe në komisionet parlamentare, e veçanërisht në Komisionin për Buxhet dhe Financa.
Unë besoj se propozimi i tillë i buxhetit do ta ashpërsojë edhe me shumë luftën politike në mes të pushtetit të okupuar nga Qeveria e tashme dhe të opozitës, e cila duhet me fakte dhe argumente të shumta të kërkojë që ky buxhet të shpërndahet në mënyrë sa më racionale, e të mos shërbejë si një propagandë për zgjedhjet e ardhshme.
Këto masa, po të ishin aprovuar para një viti apo dy vjetësh, pra rritja e pensioneve bazike, përcaktimi i pagës së 13-të, do të ishin diçka shumë e pëlqyer nga qytetarët, por, momenti dhe koha se si po keqpërdoren mjetet buxhetore për të “blerë” vota nga njerëzit që do të kenë benificione, është më tepër popullizëm i pastër.
Radio Evropa e Lirë: Profesor, në kushte normale, këto vendime që u morën sot, siç është paga e 13-të për sektorin publik, rritja e pensionit bazë, shtesat e fëmijëve… a do të mund t’i përballojë buxheti këto skema në aspektin afatgjatë?
Mejdi Bektashi: Në kushte normale, ky buxhet nuk mund ta përballojë këtë kosto që e ka propozuar sot Qeveria. Dhe, mospërballimi do të ndikojë në rritjen e taksave, në rritjen e kontributeve të tjera, që duhet t’i paguajnë njerëzit për ta mbushur buxhetin, ose për t’i paguar këto rritje. Në aspektin politik, rritja e pagave, pagës së 13-të, shtesave të fëmijëve etj., janë shumë të kërkuara. Në aspektin social janë shumë të mira për 80 mijë punonjës në sektorin publik. Por, pasi faktikisht ne e kemi filluar fushatën zgjedhore mes partive politike, është prishje e konkurrencës ose keqpërdorim i detyrës së Qeverisë.
Radio Evropa e Lirë: A ekziston rreziku që këto masa sociale ta rrisin varësinë nga buxheti dhe të ndikojnë në produktivitet?
Mejdi Bektashi: Zakonisht, vetëm partitë ultra të majta përdorin këso masash dhe instrumentesh për ta joshur votuesin, por nuk është e ndershme që këto rritje të bëhen në momentin kur vetëm jemi në fushatë zgjedhore. Mos të harrojmë se kjo Qeveri e ka ndërprerë marrëveshjen e lidhur nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria me punonjësit për pagat jubilare dhe të tjera, ku të gjithë të punësuarit përmes gjykatave në komuna të ndryshme, kanë arritur t’i marrin këto mjete. Por, koston e këtyre pagesave e kanë paguar vetë komunat nga buxheti i tyre. Unë frikësohem mos po na ndodh një përsëritje e tillë, si e marrëveshjes kolektive të punës, që ishte arritur në kohën e Qeverisë së Ramush Haradinajt, të cilën e ndërpreu kjo Qeveri.
Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni propozimin për rritjen e pagës minimale deri në 500 euro? A pritet të ketë ajo ndikim në rritjen e standardit të jetesës së qytetarëve, apo mund t’i rrezikojë bizneset e vogla dhe të mesme?
Mejdi Bektashi: Rritja e pagës minimale, shqyrtuar në aspektin e gjerë, ka një domethënie të madhe, por dyfishimi i kësaj page, unë besoj se do të krijojë një kosto të re, për punëdhënësit që tani do të paguajnë paga më të larta dhe njëkohësisht do ta humbin konkurrencën në tregun kosovar dhe në tregon e jashtëm. Kjo mënyrë e marrjes së vendimeve nga një Qeveri në detyrë, që ndoshta nuk është as në detyrë, do të ndikojë jo vetëm në fushatën zgjedhore, por do të ketë edhe reperkusione të shumta në stabilitetin financiar të Kosovës.
 
                        


 
                                         
                                         
                                         
                                         
                                         
                                        