Bellingham dhe Rashford bëjnë histori në ndeshjen Real Madrid – Barcelona

27 tetor 2025 | 17:42

Jude Bellingham ishte vendimtar për Real Madridin në fitoren ndaj Barcelonës në “El Clasicon” e së dielës në “Santiago Bernabeu”.

22-vjeçari ishte i përfshirë në të dy golat – shënoi një dhe asistoi tjetrin – duke ndihmuar skuadrën e Xabi Alonsos të shkëputet me pesë pikë në krye të La Ligës.

Edhe pse nuk ka qenë në formën e tij më të mirë që prej rikthimit nga operacioni në shpatull në shtator, Bellingham u rikthye në nivelin më të lartë pikërisht në “El Clasico”.

Dhe siç rezultoi, ai bëri histori në këtë ndeshje, bashkë me bashkëkombësin e tij Marcus Rashford.

Sipas “Mundo Deportivo”, ndeshja e së dielës ishte hera e parë që dy futbollistë anglezë përballen me njëri-tjetrin në “El Clasico”.

Si Reali, ashtu edhe Barcelona kanë pasur më herët lojtarë nga Anglia, por asnjëherë nuk kishin luajtur në të njëjtën ndeshje.

Para Rashfordit, i cili asistoi golin e Fermin Lopez në këtë ndeshje, Barcelona ka pasur vetëm një tjetër lojtar anglez në historinë e saj – Gary Lineker.

Ai mbajti fanellën blaugrana nga viti 1986 deri në 1989, në një periudhë kur Real Madridi nuk kishte asnjë bashkëkombës të tij (Laurie Cunningham ishte lojtari më i afërt, por ai u largua nga “Bernabeu” në vitin 1984).

Përveç Bellinghamit, Real Madridi kishte në stol edhe Trent Alexander-Arnold, i cili sapo ishte rikthyer nga një dëmtim në kofshë që e kishte mbajtur jashtë për gjashtë javë.

Megjithatë, ish-lojtari i Liverpoolit nuk u aktivizua, pasi Dani Carvajal u zëvendësua me Federico Valverden në pjesën e dytë.

Historikisht, “El Clasico” ka qenë një ndeshje pa shumë praninë e futbollistëve anglezë, por me Bellingham, Trent dhe Rashford, kjo prani mund të vazhdojë për vite me radhë – dhe ndoshta të zgjerohet, pasi mbrojtësi Marc Guehi ka tërhequr interesin e të dy klubeve përpara se të bëhet lojtar i lirë verën e ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk…