
Beograd: 77 persona të ndaluar në protestë, Vuçiq paralajmëron arrestime të reja
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka akuzuar të dielën studentët protestues se kanë bërë “thirrje të drejtpërdrejtë për konflikt civil dhe sulme ndaj policisë”, si referencë për zhvillimet në fund të një proteste të mbajtur në sheshin Sllavija të Beogradit më 28 qershor.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Brendshëm serb, Ivica Daçiq, ai ka kërkuar nga zyrat kompetente të prokurorisë që “të bëjnë punën e tyre” dhe “të mos sillen si të paaftë dhe naivë”.
Ai e ka përgëzuar policinë për “sjelljen profesionale dhe për dëshirën që t’i mposhtin sulmuesit me përdorim minimal të forcës”.
“Natyrisht se do të ketë më shumë arrestime për sulmet ndaj policisë. Ky nuk është fundi. Janë duke u identifikuar edhe individë tjerë. Agjencia për Siguri dhe Informacion është duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë Vuçiq, raporton Rel.
Përgjatë intervenimit të policisë, pas një proteste të mbajtur në sheshin Sllavija, janë ndaluar 77 persona dhe 48 zyrtarë policorë janë plagosur, ka bërë të ditur të dielën ministri Daçiq.
Ai ka thënë se përleshjet e para në mes të disa protestuesve dhe policisë kanë nisur në orën 21:42.
“Gjatë intervenimit policor janë plagosur 48 zyrtarë policorë – 38 pjesëtarë të xhandarmërisë, dy pjesëtarë të brigadës, shtatë zyrtarë policorë të Njësitit Policor për Intervenime dhe një zyrtar i angazhuar për siguri operacionale”, ka thënë ai.
Sipas Daçiqit, një zyrtar policor ka lëndime të rënda në kokë.
Sipas të dhënave zyrtare, 22 persona janë shtruar në qendra spitalore, dy prej tyre me lëndime serioze.
Disa protestues dhe policia janë përleshur në qendër të Beogradit pas përfundimit të protestës së studentëve në sheshin Sllavija.
Sipas të dhënave preliminare të Arkivit të Tubimeve Publike, 140.000 persona janë mbledhur në protestën “Shihemi për Vidovan”, derisa Ministria e Brendshme serbe ka thënë se në protestë kanë marrë pjesë 36.000 persona.
Studentët janë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe heqjen e një kampi në qendër të qytetit, i cili është vendosur nga studentët tjerë, që e kundërshtojnë bllokimin e fakulteteve dhe mbështesin presidentin Vuçiq.
Studentët i kanë bllokuar universitetet prej nëntorit të vitit 2024, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në Novi Sad, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të këtij qyteti.
Krahas protestës së studentëve, të shtunën është mbajtur edhe një protestë e mbështetësve të Vuçiqit, të cilët kanë organizuar “mbrëmje letrare”.