Beogradi kërcënon me ndërprerje të dialogut pas arrestimit të pesë serbëve në Kosovë

10 korrik 2018 | 13:31

Pesë pjesëtarë të komunitetit serb janë burgosur nga Policia e Kosovës nën dyshimet se u kanë bërë presion pjesëtarëve të po këtij komuniteti në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që ta braktisin këtë forcë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka burgosur pesë persona për shkak të dyshimeve të bazuara se janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se pesë serbët e arrestuar ishin kundër formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Sipas tij, këta persona duhet të lirohen, ose në të kundërtën është kërcënuar se Beogradi nuk do të vazhdojë dialogun me Prishtinën.

Aksioni i Policisë së Kosovës është ndërmarrë me urdhër të gjykatës kompetente në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve nga njësitet relevante të këtij institucioni.

Në një komunikatë për medie, Policia ka demantuar disa media të caktuara serbe, se aksioni i Policisë është ndërmarrë kundër ish-pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se këto janë vetëm spekulime.

Për më shumë, në komunikatë është thënë se aksioni është duke vazhduar në bashkëpunim dhe koordinim me organet gjyqësore.

Në anën tjetër, Marko Gjuriqi ka kërkuar që pesë personat e arrestuar, të cilët ai i ka përmendur edhe me emra, të lirohen deri në mbrëmje.

Gjuriqi ka deklaruar se këta pesë persona janë të pafajshëm dhe se sipas tij, ata vetëm e kanë shprehur publikisht se janë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Nëse këta njerëz nuk lirohen sa më shpejtë, deri në mbrëmje, atëherë porosia e jonë është se dialog nuk do të ketë për një kohë shumë, shumë të gjatë. Kjo është porosi edhe e presidentit (Aleksandër) Vuçiq”, ka theksuar Gjuriq, raporton “Rel”.

Kohët e fundit, pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po e braktisin këtë Forcë, me arsyetimin se kanë presione nga Beogradi.

Nga 137 pjesëtarët serb të FSK-së, 40 prej tyre kanë paraqitur kërkesë për t’u larguar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka quajtur…