
Berisha: Dronët mbi Kosovë, kush flet të vërtetën dhe kush mban përgjegjësi?
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, gjenerali në pension, Hisen Berisha, ka thënë se në javët e fundit, disa vende të BE-së dhe NATO-s kanë raportuar fluturime të dyshimta me dronë mbi hapësira ushtarake e civile, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë.
Sipas tij, Polonia kërkoi konsultime nën nenin 4 të NATO-s, ndërsa Danimarka ndaloi përkohësisht përdorimin civil të dronëve për shkak të kërcënimeve të përsëritura.
Berisha ka thënë se edhe Kosova nuk ka mbetur jashtë këtij skenari. “Drejtori i Policisë deklaroi se dronë serbë kanë operuar mbi hapësirën ajrore të vendit, madje përmendi edhe helikopterë që kanë fluturuar mbi kufijtë duke hyrë edhe brenda territorit. Por menjëherë pas kësaj, KFOR doli me deklaratë zyrtare, duke thënë se nuk ka evidentuar shkelje të tilla dhe se siguria në Kosovë nuk është cenuar. Këtu ngrihet dilema e madhe: kujt t’i besojnë qytetarët? A duhet të besojmë policinë dhe ministrin Sveçla, apo KFOR-in ku përfshihet edhe prania amerikane? Çfarë raportesh e koordinimi real ka mes institucioneve vendore dhe misionit ndërkombëtar? Dhe mbi të gjitha, sa është e garantuar siguria e Kosovës?”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Berisha ka thënë se ky moskoordinim, këto deklarata kontradiktore dhe mungesa e transparencës nuk janë thjesht çështje teknike.
“Ato janë tregues të një boshllëku serioz institucional. Në një kohë kur NATO dhe vendet aleate po rrisin gatishmërinë përballë kërcënimeve hibride, Kosova nuk mund të lejojë që siguria e saj të mbetet peng i deklaratave të paqarta e të politizuara. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje të sakta dhe prova konkrete, log radarësh, raporte të koordinimit dhe informim publik të përgjegjshëm. Siguria nuk është për propagandë. Është themeli i shtetit dhe garancia e të ardhmes sonë”, ka thënë Hisen Berisha.