Berisha: Iniciativa Rome 95% të votave i mori në komunat e banuara me serbë

04 mars 2021 | 21:43

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, nuk ka arritur që ta fitojë mandatin për këtë legjislaturë – ndonëse ishte deputet i Kuvendit të Kosovës që nga viti 2014.

Ai ka thënë se do të ishte deputet i Kuvendit të Kosovës po të mos kishte një orkestrim, siç e quan ai, të Listës Serbe që ta shpërndajë votën e komunitetit serb në komunitete të tjera me qëllim që të ketë më shumë deputetë sesa vendet e rezervuara.

“Pas këtij procesi, ne do t’i analizojmë në detaje çështjet për të cilat kemi një rënie të dukshme nga herët e kaluara. Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme me këtë rezultat në kushte normale dhe po të mos dilte në skenë pak para zgjedhjeve Iniciativa Rome dukshëm e mbështetur nga vendbanimet e komunitetit serb, unë do të isha sot deputet i Kuvendit të Kosovës. Me rezultatet që kanë dalë, komuniteti egjiptian është komuniteti më i votuar po të mos ishte ky orkestrim i cili ka ndodhur dhe një mbështetje e jashtëzakonshme për Iniciativën Rome. Rezultatet po e tregojnë atë që e kemi thënë tash e dy javë. Kjo iniciativë ka marrë dy deputetë – një deputet nga egjiptianët dhe një nga komuniteti rom”, u shpreh Berisha.

Ai njoftoi se nesër do të dorëzojnë ankesë në PZAP duke shtuar se kanë fakte dhe dëshmi të mjaftueshme për ta mbështetur atë. Madje, Berisha ka deklaruar se posedojnë dëshmi se pjesëtarë të komunitetit serb janë detyruar të votojnë për kandidatë të caktuar të komuniteteve të tjera.

“Iniciativa Rome është deklaruar që do të jetë përfaqësuese e komunitetit rom, derisa 95.3 % të votave i ka të marra nga vendbanime dhe banorë rezidentë të komunitetit serb. Do ta dëshmojmë mjaft mirë që Iniciativa Rome ka bërë shkelje kushtetuese dhe ligjore. Kemi mjaftueshëm fakte, dëshmi, materiale dhe statistika. Mjafton të tregohet që janë rreth 4040 vota që i ka marrë kjo iniciativë, derisa në potencialin e vendvotimeve maksimumi i votave ose i pjesëtarëve të komunitetit rom rezidentë që do të duhej ta votonin këtë iniciativë – që ka dalë pak ditë para zgjedhjeve, nuk ka lider të njohur dhe nuk ka përfaqësues që ka bërë veprime të mëhershme politike – do të duhej t’i merrte 400 ose 450 vota”, ka dekalruar ai.

“Kemi mjaft fakte dhe dëshmi që ka pasë edhe detyrim të njerëzve për të votuar. Ka deklarata të deponuara në hetuesi dhe prokurori për personat që janë të detyruar dhe kanë qenë të varur nga institucionet paralele ku kanë qenë duke punuar”.

Berisha, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se kjo është anti-kushtetuese, duke shtuar se ani se është e drejtë e secilit të votojë kë të dojë te vendet e garantuara për komunitetet pakicë është i rëndësishëm elementi etnik.

“Është e drejtë e secilit të votojë kë të dojë, por kur flasim për vendet e garantuara, te vendet e komuniteteve etnike është drejtpërdrejtë i lidhur elementi etnik. Kosova ka pranuar disa të drejta për komunitetet që janë të lidhura drejtpërdrejt me përfaqësuesin, ku përfaqësuesi i tyre është i lidhur me ata që e zgjedhin. Në Kuvendin e Kosovës do të duhej që përfaqësuesi të jetë i lidhur drejtpërdrejt me votuesit, sepse ai i di më së miri problemet e tyre, do t’i nxisë çështjet në interes të tyre dhe për çfarëdo padrejtësie në drejtim të tyre ai është më i njohuri në raport me të zgjedhurit e tyre”.

“Iniciativa Rome është e deklaruar si iniciativë rome, derisa komuniteti që e ka votuar është serb dhe me këtë rast ai vend nuk i takon komunitetit rom, por komunitetit serb. Kjo iniciativë nuk ka të drejtë kushtetuese ta përfaqësojë komunitetin serb, sepse i ka vendet e veta të garantuara dhe serbët do të duhej ta votonin partinë e tyre”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka…