
Berisha: Japim maksimumin kundër Norvegjisë
Kosova të dielën me fillim nga ora 19:00 përballet me Norvegjinë në palestrën “Minatori” të Mitrovicës. Sfida është e vlefshme për rrethin e parë parakualifikues për “Eurobasket 2025”.
Motivimi është i madh në kampin e “dardanëve” duke shpresuar në fitore dhe përkrahjen e tifozëve, siç i kanë mbështetur gjithmonë. Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, ka shprehur optimizëm para kësaj përballjeje.
“Ne kemi filluar përgatitjet nga dita e shtunë. Deri më tani kanë shkuar shumë mirë, duke shpresuar se nuk do të kemi lëndime deri në ndeshjen me Norvegjinë. Atmosfera është shumë e mirë dhe të gjithë po e japim më të mirën tonë për të qenë sa më të gatshëm për sfidën ndaj norvegjezëve”, është shprehur Berisha për faqen zyrtare të FBK-së, duke shtuar: “Kemi humbur duelin e parë dhe besoj që kësaj radhe mund të triumfojmë. Besoj që kemi ekip të mirë të fitojmë këtë përballje, që është shumë e rëndësishme për ne”. Ai pret përkrahjen e tifozëve.
“Tifozët gjithmonë kanë qenë me ne dhe kështu besoj që do të jetë edhe të dielën në Mitrovicë. Për ne është thelbësore dhe jetike përkrahja e tyre. Dardanët na kanë mbështetur gjithmonë. Tifozët janë motivim shtesë për ne”, është shprehur kapiteni Berisha. Në Grupin C, Kosova, Danimarka dhe Norvegjia kanë nga një fitore dhe një humbje. “Dardanët” kanë një fitore (ndaj Danimarkës 78:73) dhe një humbje (nga Norvegjia 86:77). Vendi i parë kualifikohet tutje dhe vendi i dytë më i mirë nga tri grupet parakualifikuese.