Berisha: Marrëzia politike në Asamblenë e OKB-së, Kurti endet korridoreve e Osmani shihet në skenat protokollare

25 shtator 2025 | 20:47

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, ka komentuar shkuarjen e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti në Nju-Jork.

Ai ka thënë se në Nju Jork, aty ku këtë javë po zhvillohen takimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shihen qartë dy realitete të kundërta.

“Nga njëra anë, pesidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvillon një takim të rëndësishëm e përmbajtësor me Sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, nga i cili kërkoi fillimin e Dialogut Strategjik, duke hapur perspektiva të reja në dialogun politik dhe duke konsoliduar bashkëpunimin ekonomik e të sigurisë.
Nga ana tjetër, kryeministri kujdestar i Kosovës, Albin Kurti, endet korridoreve duke u takuar me senatorë republikanë periferikë, disa prej të cilëve njihen më shumë për votat kundër Partisë Republikane dhe kundër vendimeve të presidentit Trump, sesa për ndikim real në politikën amerikane”, ka theksuar Berisha.

Ndërkohë, sipas tij, presidentja Vjosa Osmani, në vend se të ketë takime të nivelit të lartë, shihet në skenat protokollare duke pritur tek shkallët e Departamentit të Shtetit.

“Në këtë rreshtim, Kurti dhe Osmani po luajnë rolin e veglave, duke tentuar të paraqesin një “raport normal” me Amerikën, ndërkohë që realiteti është përpjekja për të zhbërë shtetin e Kosovës nga brenda”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.

Postimi i plotë i tij:

Marrëzia politike në Asamblenë e OKB-së

(Kosova – aleat strategjik apo si klient i dorës së dytë?)

Në Nju Jork, aty ku këtë javë po zhvillohen takimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shihen qartë dy realitete të kundërta. Nga njëra anë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvillon një takim të rëndësishëm e përmbajtësor me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, nga i cili kërkoi fillimin e Dialogut Strategjik, duke hapur perspektiva të reja në dialogun politik dhe duke konsoliduar bashkëpunimin ekonomik e të sigurisë.
Nga ana tjetër, Kryeministri kujdestar i Kosovës, Albin Kurti, endet korridoreve duke u takuar me senatorë republikanë periferikë, disa prej të cilëve njihen më shumë për votat kundër Partisë Republikane dhe kundër vendimeve të Presidentit Trump, sesa për ndikim real në politikën amerikane.

Është e qartë se Kurti ka zgjedhur të takohet me ata që paraqiten si “republikanë” në etiketa, por që në vendimmarrje kanë shërbyer si instrument i të majtës amerikane. Kjo është jo vetëm një shmangie taktike, por një dëshmi se ai nuk ka akses në qendrat e fuqisë reale, dhe as guxim për t’u përballur me partnerët e vërtetë strategjikë të Kosovës.

Dialogun strategjik Kosovë–SHBA nuk e ndalin as Senati, as senatorët e thjeshtë. Ai është i përcaktuar nga qeveria amerikane dhe i institucionalizuar përtej individëve. Kurti e di mirë këtë, por në mungesë të mbështetjes së vërtetë, mundohet ta mbulojë boshllëkun duke u lidhur me qarqe të njohura si anti-Trump, të financuara nga Sorosët, që tashmë kanë rikthyer mekanizmat për ta mbajtur në lojë. Ky është një infuzion politik për një udhëheqës të qorodiur që prej kohësh ka humbur busullën.

Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani, në vend se të ketë takime të nivelit të lartë, shihet në skenat protokollare duke pritur tek shkallët e Departamentit të Shtetit. Këto pamje të kombinuara e kthejnë Kosovën nga aleat strategjik në klient të dorës së dytë, duke rrënuar pozitën që e kemi ndërtuar me menquri, sakrificë dhe besnikëri ndaj partnerëve tanë perëndimorë.

Këto zhvillime nuk janë rastësi. Ato janë pjesë e një skenari ku globalistët, të cilët u bllokuan nga ardhja në pushtet e Trump dhe nga doktrina e tij politike, tani po përpiqen të rigrupohen kundër tij. Në këtë rreshtim, Kurti dhe Osmani po luajnë rolin e veglave, duke tentuar të paraqesin një “raport normal” me Amerikën, ndërkohë që realiteti është përpjekja për të zhbërë shtetin e Kosovës nga brenda.

Prandaj, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a po kthehen shqiptarët, nga aleatë strategjikë historikë të Amerikës, në klientë të dorës së dytë? Ky është realiteti i hidhur që Kurti po përpiqet ta mbulojë duke shpërndarë fotografi nga korridoret e OKB-së.

Filozofët na paralajmërojnë: një budalla është një budalla, dy budallenj janë dy budallenj, por dhjetë mijë budallenj bëhen forcë historike. Jim Butcher shkroi me të drejtë: “E keqja nuk është kërcënimi i vërtetë për botën. Marrëzia është po aq shkatërruese sa e keqja, ndoshta edhe më shumë, dhe është tmerrësisht më e zakonshme. Ajo që na duhet me të vërtetë është një kryqëzatë kundër Marrëzisë.”

Kosova nuk ka luksin të mbetet peng i marrëzisë politike të disa individëve. Në këtë moment, më shumë se kurrë, duhet kthjelltësi kombëtare për të mos humbur busullën strategjike që na ka mbajtur gjallë si shtet dhe si komb.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marina Franceze ka realizuar një nga kapjet më të mëdha…