
Berisha para SPAK: Vazhdojmë betejën për rikthimin e votës së lirë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në SPAK, ku theksoi se PD ka dorëzuar mbi 15 padi për manipulimet zgjedhore, të cilat, sipas tij, janë anashkaluar nga institucionet.
“PD, ka përgatitur mbi 15 padi, që natyrisht do kenë fatin e padive të tjera sepse në krye të amnistisë së krimit elektoral qëndron vetë Altin Dumani, shërbëtor i shpifur i Ulsi Manjës, i keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama“, tha ai.
Në vijim, Berisha vazhdoi akuzat e tij, duke përmendur se gjatë fushatës, PD ka dorëzuar dhjetëra padi për krime zgjedhore dhe se këto janë bllokuar nga drejtues të tjerë të institucioneve të drejtësisë. “Ne kemi dorëzuar edhe gjatë fushatës me dhjetëra padi. Prokurorë të tjerë kanë një drejtues”, tha Berisha.
Në një moment të caktuar, Berisha akuzoi gjithashtu kryetarën e GJKKO-së, Irena Gjoka, për mashtrim, duke thënë: “Kreu i Gjykatës Speciale, pseudogjykatësja me 5 mbiemra është një mashtruese ordinere dhe delinkuente, e paturp, e pacipë, subjekt i ligjit.”
Berisha e mbylli duke paralajmëruar se betejën e tij për rikthimin e votës së lirë do ta vazhdojë deri në fund dhe se çdo shkelje zgjedhore do të marrë një përgjigje të fortë, edhe nga jashtë vendit. “Unë vazhdoj betejën kundër kësaj vjedhjeje më monstruozen e 32 viteve në historinë e zgjedhjeve pluraliste. Vazhdojmë betejën gjer në rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve! Kini besim se do t’ia dalim!”.