
Berisha pas tetë vjetësh e gjysmë largohet nga Akhmat Grozny
Bernard Berisha nuk është më pjesë e Akhmat Groznyt. Futbollisti kosovar i ka ndarë rrugët me klubin rus pas më shumë se tetë vjetësh.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi nga liga elitare e futbollit rus, e cila e ka falënderuar përfaqësuesin kosovar për kontributin dhe i ka uruar atij suksese në të ardhmen.
“Pas tetë vjetësh e gjysmë pune, Bernard Berisha po largohet nga klubi i Groznyt. Palët e arritën një marrëveshje për ta ndërprerë kontratën me pëlqim të ndërsjellë. Berisha u bë një legjendë e Akhamatit pasi i zhvilloi 199 ndeshje për klubin në ndeshje zyrtare, në të cilat i shënoi 28 gola dhe i bëri 23 asistime”, shkroi fillimisht klubi nga Grozny në faqen zyrtare në rrjetet sociale.
“Bernardi la gjurmë të ndritshme në historinë e klubit tonë. Një profesionist i vërtetë në fushë, një lider, i sjellshëm dhe i përgjegjshëm në jetë – kështu do të mbahet në mend mesfushori nga tifozët, për të cilët Bernardi është bërë një i preferuar dhe një idhull gjatë këtyre viteve. Faleminderit për lojën, faleminderit për vëllazërinë dhe miqësinë burrërore me secilin prej ekipit tonë. Paç fat, vëlla”, përfundon njoftimi i Akhmatit.