
Berisha thotë se beteja e opozitës ka hyrë në një fazë të re
Beteja e opozitës ka hyrë në një fazë të re. Kështu ka deklaruar kryedemokrati Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Kjo pasi, sipas tij, tashmë kartelet e drogës në botë po trajtohen si organizata terroriste.
Ai ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se ka ndërtuar një narkoshtet dhe është në qendër të një rrjeti ndërkombëtar të narkoterrorizmit. “Edi Rama drejton organizatën e parë narkoterroriste në Evropë.
Shqipëria është kthyer në parajsën e pastrimit të parave të krimit ndërkombëtar. Kulla ndërtohen nga miliardat e drogës”, ka theksuar Berisha, raporton albanianpost.
Ai ndërkaq ka përmendur emra konkretë si Diego Benitez, të cilin e cilësoi “kumbarin që menaxhon 14 klane shqiptare të trafikut të kokainës”.
Berisha po ashtu ka dënuar me forcë atë që e cilësoi si “akt terrorist” ndaj deputetit demokrat Xhelal Mziu dhe duke akuzuar qeverinë për përfshirje të heshtur në këtë ngjarje. “Së pari dua të dënoj me forcën më të madhe aktin terrorist ndaj deputetit të PD-së Xhelal Mziu dhe heshtjen mortore të autoriteteve, që dëshmon se qëndrojnë prapa tij”.
Ai ka shtuar se “asgjë nuk do të mposhtë qëndrimin e deputetëve të opozitës në betejën kundër narkoshtetit”.
Ndër të tjera, Berisha ka thënë se Rama nuk arriti të shkojë dot në Nju-Jork së fundmi, ndërkohë që do të mbahen punimet e Asamblesë së
Përgjithshme të OKB-së. Ai u shpreh se për kreun e qeverisë ishin planifikuar “dreka e darka” me kryeministra dhe presidentë rajonalë, por ato u anuluan. Por ai nuk dha arsye për anulimin e pretenduar.