Berjani: Rrezikojmë të mbesim pa naftë
Kryetari i Shoqatës sëNaftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka deklaruar se furnizimi i Kosovës me derivate të naftës bëhet kryesisht përmes kompanive nga Shqipëria, ndërsa ka shprehur pakënaqësi ndaj vendimit për vendosjen e çmimit tavan për karburantet.
Berjani ka thënë se kompanitë në Kosovë po furnizohen nga kompanitë shqiptare dhe se çmimet e importit janë rritur ndjeshëm.
“Sot me pakicë e kam blerë naftën me 1.53 euro, vetëm që të mos mbetet Kosova pa naftë. Jemi në një fazë ku nuk po e shikojmë çmimin. Sonte dhe nesër, nëse shkojmë në Shqipëri për ta marrë një litër naftë, importi na kushton rreth 1.60 euro për një litër”, ka deklaruar ai për “Indeksonline”.
Ai ka thënë se nuk është i kënaqur me vendimin e ministres për vendosjen e çmimit tavan, duke theksuar se kompanitë duhet të kenë më shumë hapësirë për të manovruar në treg.
“Sot në treg çmimet janë rreth 1.33 euro për një litër, ndërsa vetë e kam blerë me 1.55 euro. Nuk duhet të mbetet vendi pa naftë”, është shprehur Berjani.
Sipas tij, qëllimi i kompanive është që tregu të mos mbetet pa furnizim me derivate, pavarësisht lëvizjeve të çmimeve në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.



