Bërnabiqi: Beogradi dhe Prishtina, larg kompromisit

04 janar 2019 | 14:09

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se nuk sheh asnjë shenjë të arritjes së kompromisit me Kosovën, porse ai duhet të arrihet “nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”.

Duke folur për mediet serbe, Bërnabiq ka thënë se Beogradi dhe Prishtina janë gjithnjë e më larg arritjes së kompromisit, para së gjithash për shkak të taksës 100 për qind që Kosova u ka vënë importeve nga Serbia, si dhe për shkak të formimit të ushtrisë së Kosovës.

“Unë mendoj se ne po largohemi nga kompromisi”, ka thënë Bërnabiq.

Por, ajo ka shtuar se konflikti i ngrirë me Prishtinën nënkupton që Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së, transmeton “REL”.

Bërnabiq ka pohuar se “çështja e Kosovës duhet të zgjidhet” dhe se zgjidhja është “arritja e një kompromisi që do të garantonte paqe, stabilitet dhe jetë më të mirë për serbët në Kosovë”.

Ajo ka theksuar se Serbia është në “pozitë të shkëlqyeshme” sepse kryenegociator i saj është presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, por ka shtuar se Qeveria e Serbisë do të ndihmojë aq sa mundet.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reperja nga Prizreni, edhe në imazhet e reja ka ardhur…