BERZh investon 100 milion Euro në turizmin e Kroacisë dhe Malit të Zi

13 janar 2020 | 14:44

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) është duke i dhënë një shtytje sektorit të turizmit në Kroaci dhe Mal të Zi me një kredi prej 100 milion Euro. Përfituese është Erste Bank Kroaci (EBC), e me qëllim të nën-huazimit të mjeteve ndërmarrjeve private të hotelerisë për të zgjeruar bizneset e tyre përmes investimeve të qëndrueshme në hotele dhe aktivitete të tjera të turizmit.

EBC do të jetë institucioni i parë financiar që do të marrë një kredi në kuadër të Kornizës Gjithëpërfshirëse të Turizmit për rajonin e Mesdheut Lindor të BERZh-it. Korniza paraqet një qasje gjithëpërfshirëse në financimin e turizmit, duke u përqendruar në një ndikim më të gjerë, më të shpejtë dhe më sistematik në turizëm dhe sektorët e ndërlidhur.

Korniza dhe huaja për EBC synon përmirësimin e mundësive të punësimit për të rinjtë dhe gratë duke trajnuar të rinjtë dhe krijimin e programeve të reja ose atyre substancialisht të qëndrueshme të bashkëpunimit me universitetet lokale ose shkollat profesionale, dhe duke fuqizuar praktikat dhe politikat e mundësive të barabarta si dhe forcimin e zhvillimit të lidhjeve përcjellëse me furnizuesit lokalë në sektorin e hotelerisë, duke koordinuar palët e interesuara përkatëse. Këto synime janë thelbësore për zhvillimin e zinxhirëve më të mirë të vlerave lokale dhe për integrimin më të thellë të fermerëve lokalë në Kroaci dhe Mal të Zi.

Ky transaksion i rëndësishëm u nënshkrua nga Presidenti i BERZh-it, Suma Chakrabarti, gjatë një vizite sot në Zagreb.

Ai, me këtë rast, tha se janë të kënaqur që sigurojnë një kapital shumë të nevojshëm për një rritje të qëndrueshme dhe zhvillim të mëtutjeshëm të sektorit të turizmit në Kroaci dhe Mal të Zi. “Turizmi është një shtytës kryesor i rritjes në të dy vendet dhe ne presim që ky investim të hap mundësi të reja për bizneset vendore, si dhe të krijojë vende të reja pune. I njëjti demonstron sesi Korniza jonë e re do t’i mundësojë BERZh-it të ketë qasje te më shumë klientë, përfshirë edhe ata më të vegjël”, u shpreh ai.

Christoph Schoefboeck, President i Bordit Menaxhues të EBC-së, tha se ishin të kënaqur që u bënë banka e parë partnere nën Kornizën Gjithëpërfshirëse të Turizmit për Mesdheun Lindor të BERZh-it dhe mezi presin të vazhdojmë dhe thellojnë më tej bashkëpunimin e gjatë dhe të suksesshëm midis dy institucione. “Mbështetja për turizmin është një nga përcaktuesit tanë themelorë strategjikë dhe ne besojmë se përmes këtij krediti do të mundësojmë klientëve tanë të realizojnë projekte të shumta të suksesshme në këtë sektor, të cilat do t’u mundësojnë atyre që të forcojnë dhe pozicionojnë më tej veten e tyre në tregjet e brendshme, si dhe ato ndërkombëtare”, deklaroi Schoefboeck.

Përndryshe, EBC është banka e tretë më e madhe në Kroaci me rreth 15 për qind të tregut dhe operon përmes një rrjeti prej 128 degësh në Kroaci. Filiali i saj në Mal të Zi, Erste Bank AD. Podgorica, operon përmes një rrjeti prej 17 degësh. Banka është një partner i gjatë i BERZh-it në aktivitete të përbashkëta, përfshirë një kredi për biznese mikro dhe të vogla, një linjë kredie sipas Kornizës së Financimit të Energjisë së Qëndrueshme të Ballkanit Perëndimor (WeBSEFF), pjesëmarrjes në Programin e Lehtësimit të Tregtisë të BERZh-it dhe pjesëmarrjen e BERZh-it në letrat me vlerë në valutën kroate Kuna, të lëshuara nga EBC.

Deri më sot, BERZh ka investuar më shumë se 3,88 miliardë Euro, në 215 projekte, në Kroaci. Aktivitetet e Bankës mbulojnë të gjitha fushat e ekonomisë, por janë veçanërisht të fuqishme në sektorin e infrastrukturës, korporatave, institucioneve financiare dhe energjisë. BERZh është gjithashtu e angazhuar në dialogun e politikave, zhvillimin e tregut të kapitalit dhe reformën rregullatore në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit Kombëtar të Sllovenisë, Dejan Zidan, ka uruar…