Besa Ismaili: Kontrolli i narrativës nuk e shpëton LV-në nga llogaridhënia
Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje për shkak të qeverisjes korruptive dhe vendimeve që kanë dëmtuar interesat e shtetit, e ka humbur epërsinë dhe kredibilitetin politik.
Ajo në një postim në “Facebook”, ka shkruar se për ta fshehur këtë rënie, LV-ja po përpiqet t’i bëjë presion moral opozitës.
Ismaili ka theksuar se një nga instrumentet që po e përdor LV-në në këtë strategji është Lista Serbe.
“Duke zhvendosur vëmendjen tek akuzat e fabrikuara, LVV përpiqet ta detyrojë opozitën në pozicion mbrojtës, në vend se të japë llogari për përgjegjësitë e saj”, ka shkruar Ismaili në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Politika e ultë dhe manipulative e LV-së karshi opozitës
Qeverisja e LV-së, e ngërthyer nga korrupsioni në rritje, vendimmarrjet e dëmshme për interesat shtetërore dhe mungesa e kompetencës profesionale, e ka humbur prej kohësh epërsinë dhe kredibilitetin etik.
Për ta fshehur këtë rënie të thellë politike, ajo po përpiqet vazhdimisht të prodhojë presion moral ndaj opozitës dhe të zbehë besueshmërinë e kundërshtarëve të saj në sytë e publikut.
Një nga instrumentet që LV-ja shfrytëzon për këtë lojë politike është Lista Srpska, e cila përdoret sa herë qeveria goditet nga kritikat për dështime, skandale dhe keqqeverisje. Duke zhvendosur vëmendjen tek akuzat e fabrikuara, LVV përpiqet ta detyrojë opozitën në pozicion mbrojtës, në vend se të japë llogari për përgjegjësitë e saj.
Megjithatë, sulmet etike dhe etiketimet politike nuk zëvendësojnë argumentin. Ato vetëm rrisin polarizimin dhe krijojnë narrativa të fabrikuara, të cilat shërbejnë për të mbuluar mungesën e transparencës. Por kontrolli i narrativave, sado agresiv të jetë, nuk është mekanizëm për t’i shpëtuar llogaridhënies dhe as rrugë për të shmangur përgjegjësinë politike, juridike dhe shtetërore që ka patur dhe ka LV.
Protagonistët e skenës dhe prapaskenës së LVV-së, herët a vonë, do të përballen si me drejtësinë juridike ashtu edhe me atë morale, për mashtrim, manipulim dhe keqpërdorim të pushtetit.



