Besa përfundoi edicionin me të gjitha ndeshjet e fituara

15 prill 2021 | 22:43

Janë luajtur të enjten edhe dy ndeshjet e fundit në Superligën A të Kosovës në hendboll.

Në kuadër të javës së 28-të, Besa Famgas e mposhti Drenicën me rezultat shumë të lartë, 63:16. Për skuadrën pejane ishte fitorja e 28-të rresht. Pra kampioni aktual e përfundon edicionin e rregullt me të gjitha ndeshjet të fituara.

Besa Famgas i ka 56 pikë në vendin e parë, ndërsa Prishtina është e dyta me 45 pikë. Prishtina të enjten e mposhti Kastriotin e Ferizajt me rezultat 42:27. Humbja e ka larguar Kastriotin nga vendi i katërt dhe e ka lënë jashtë plejofit. Në vend të katërt renditet Vëllaznimi me 26 pikë, sa i ka edhe Kastrioti në vend të pestë. E treta është Trepça me 28 pikë derisa Drenica përfundon e gjashta me 16 pikë.

Menjëherë në fundjavë luhen ndeshjet e para të plejofit. Në gjysmëfinale Besa Famgas takohet me Vëllaznimin, ndërsa Prishtina përballë do ta ketë Trepçën.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka komentuar rreth ligjit…