Kandidatja e PSD-së për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka ngritur shqetësimin për vështirësitë që hasin qytetarët – veçanërisht çiftet e reja – në sigurimin e banimit në kryeqytet.
Duke folur në emisionin Pressing në T7, ajo tha se çmimet e larta të qirave dhe të blerjes së banesave e kanë shndërruar Prishtinën në një qytet “të paarritshëm”.
Sipas saj, një pjesë e madhe e ndërtimeve të reja nuk janë menduar për banim, por janë blerë thjesht si investime.
“Me çmimet e qirasë dhe blerjes është qytet i paarritshëm. Banesat që janë ndërtuar janë blerë si investim më shumë se sa për me jetu në to.
Nëse banorët e Prishtinës, apo çiftet e reja nuk mujnë me zgjedh çështjen e banimit, atëherë këtu e kemi një problem, e kemi 1/3 e krejt banesave që janë plotësisht të zbrazëta, njerëz që kanë nevojë për banim por që cmimet janë të paarritshme”, tha Shahini.
Ajo shtoi se, edhe pse kostot e ndërtimit kanë shënuar rritje vitet e fundit, fitimet e kompanive ndërtimore janë rritur në mënyrë të dyfishtë. Për Shahinin, kjo situatë është alarmante jo vetëm nga këndvështrimi ekonomik, por edhe nga ai urbanistik.
“Është vërtet që ka pasur kosto të rritje të ndërtimit, por fitimi i kompanive ndërtimore është dyfishu. Problem është edhe nga aspekti urbanistik, edhe sa i përket zgjidhjes së çështjes së banimit”, tha ajo.