Besa synon titullin e gjashtë radhazi

25 maj 2019 | 10:19

Skuadra e Besës po synon titullin e gjashtë në elitën e hendbollit të Kosovës, kurse Kastrioti, pas Kupës, po beson se mund ta ndalë hovin e pejanëve edhe në kampionat. Ndeshja e dytë mes këtyre dy skuadrave zhvillohet sot (e shtunë) në Palestrën “Bill Clinton” nga ora 18:00.

KH Besa Famgas po synon që sot (e shtunë) në Palestrën “Bill Clintoni” ta mposhtë Kastriotin për herë të dytë dhe të shpallet kampion i Kosovës për herë të gjashtë radhazi.

Për ta siguruar titullin skuadrës pejane i mjafton edhe barazimi, pasi ndeshjen e parë e fitoi në Pejë me rezultat 16-115. Hendbollisti i Besës, Bajram Idrizi, ka thënë se në ndeshjen që zhvillohet në Ferizaj Besa do të hyjë sikurse rezultati i përballjeve të jetë 0-0.

“Tani presim ta sigurojmë titullin në ndeshjen e dytë në Ferizaj. Jemi të mobilizuar maksimalisht dhe do të udhëtojmë të shfaqim lojë të mirë dhe të shënojmë fitore. Me fitore e sigurojmë titullin e gjashtë me radhë. Do të paraqitemi në ndeshjen e dytë sikurse rezultati të jetë në fillim të serisë, pra 0-0. Me angazhim maksimal synojmë
fitore të re dhe titull të ri”, ka thënë Idrizi.
Ndërsa skuadra e Kastriotit, edhe përkundër paraqitjes së mirë në Palestrën “Karagaçi”, në fund është dashur të pajtohet me humbje.

Kapiteni i Kastriotit, Rron Ramadani, ka ftuar tifozët që ta përkrahin skuadrën e zemrës dhe në këtë mënyrë t’i ruajnë me fitore shpresat për t’u shpallur kampionë.

“Ne humbëm betejën, por jo luftën. Jemi në garë për titull, ndërsa sa i përket ndeshjes së dytë që luhet në Ferizaj, jemi të përgatitur dhe të motivuar për fitore. Ftoj të gjithë hendbolldashësit, tifozët, që të shtunën të jenë në numër sa më të madh në përkrahje të klubit të tyre të zemrës”, ka thënë Ramadani.

Ndeshja fillon në orën 18:00 dhe zhvillohet në Palestrën “Bill Clinton”.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Daniele De Rossi mund të jetë përforcimi befasues i Manchester…