Besianë Musmurati nga PDK-ja emërohet nënkryetare e Komunës së Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se nga sot, Besianë Musmurati është emëruar në pozitën e nënkryetares së kryeqytetit.
“Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës. Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike. Nga sot, Besianë Musmurati emërohet në pozitën e Nënkryetares së Kryeqytetit, duke sjellë me vete përvojë të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Ai ka theksuar se: “Me një angazhim mbi një dekadë në fusha si diplomacia, politika publike dhe menaxhimi institucional, ajo ka kontribuar në avancimin e proceseve vendimmarrëse dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përvoja e saj në Kryeqytet, veçanërisht në drejtimin e Arsimit, ka lënë gjurmë në përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit. I urojmë suksese në këtë përgjegjësi të re, në shërbim të qytetarëve të Kryeqytetit”, ka shkruar i pari i Prishtinës, Përparim Rama.



