
Besnik Osmani i LDK-së numëron arsyet se pse duhet ta votohet për kryetar të Fushë Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës, sot i ka zyrtarizuar shumicën e kandidatëve për kryetar të komunave që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
LDK në Fushë Kosovë pas 20 vjetësh e ka ndërruar kandidatin, pasi kryetar aktual i komunës Burim Berisha, pas përfundimit të këtij mandati do të tërhiqet nga jeta publike.
E në vend të tij, ky subjekt politik do të provojë të mbetet në pushtet atje me Besnik Osmanin.
Osmani sonte në Edicionin Special në Klan Kosova ka numëruar arsyet se pse qytetarët duhet ta votojnë atë për kryetar.
“Unë nuk jam një person i rastësishëm aty. Për vet faktin se vij nga një periudhë e gjatë e përvojës në Administratën Publike duke shërbyer pesë vjet në Ministrinë e Financave, 12 vjet si sekretar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, konkretisht në fushën e Vetëqeverisjes Lokale, duke shërbyer për një mandat si Auditor i Përgjithshëm, një institucion kredibil. Dhe me një përgatitje që lidhet me Vetëqeverisjen lokale”, deklaroi Osmani në Klan Kosova.